Komandanti i zjarrfikësve: Zjarri në “Izolimi” u kontrollua shpejt, hetimet do të nisin sapo të krijohen kushtet

Prishtinë | 30 Kor 2025 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i zjarrfikësve, Malë Gashi, ka deklaruar për Ekonomia Online se zjarri në kompaninë “Izolimi” është kontrolluar shpejt, por shkaku i tij ende nuk është i njohur.

Ai shtoi se hetimet do të kryhen nga inspektorët vetëm kur të krijohen kushtet e nevojshme, pasi aktualisht temperatura e lartë dhe tymi i dendur brenda depozitave pengojnë fillimin e hetimeve.

“Rreth orës 14:20 janë pranuar informatat për një zjarr në kompaninë Izolimi. Veprimet e para të policisë kanë qenë evakuimi i personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur. Janë evakuuar personat pranë objektit si dhe punëtorët. Po merren masat adekuate për sigurimin e vendit të ngjarjes dhe të bombolave të brendshme. Veprime të mëtejshme hetimore policore do të zhvillohen në vazhdim. Për veprime të tjera është angazhuar edhe komandanti i zjarrfikësve, i cili ka dhënë ndihmën më të mirë të mundshme”.

Ai theksoi se po merren masat e nevojshme për sigurimin e vendit të ngjarjes dhe falënderoi ekipet për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e dhënë në këtë rast.

“Ekipet kanë arritur dhe kanë konstatuar se në vendin e ngjarjes ka një depo me materiale të ndryshme, si llaqe dhe goma. Për shkak të tymit të dendur dhe temperaturës së lartë që lirohej, zjarri u kontrollua shumë shpejt. Tani, siç mund ta shihni edhe ju, pothuajse gjithçka është fikur dhe zjarri është shuar”.

“Sa i përket shkakut të zjarrit, ne nuk kemi informacione të sakta. Kjo nuk bën pjesë në fushën tonë të përgjegjësisë; hetimet do t’i bëjnë inspektorët kur të krijohen kushtet e nevojshme për hulumtim. Aktualisht, këto kushte nuk janë të favorshme, pasi brenda ka ende temperatura të larta dhe tym të dendur”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme