Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka mbajtur sot një performancë simbolike para Stacionit të Policisë në Lipjan, në shenjë proteste dhe kërkese për drejtësi ndaj vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, raporton Ekonomia Online.
Gjatë aksionit, aktivistët ngjitën postera në hyrjen e stacionit të policisë me mbishkrimin “Komandën e fundit e dha frymën”, si dhe në objektin e gjykatës me mesazhin “Pa drejtësi s’ka qetësi”, duke përcjellë kështu mesazhe për domosdoshmërinë e llogaridhënies institucionale.
AVONET ka kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm për rastin, duke theksuar se ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur dyshime serioze për shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e zyrtarëve policorë.
Aolta Bajrami, përfaqësuese e AVONET-it, në deklaratën e saj para mediave kërkoi veprim urgjent dhe të paanshëm nga institucionet përgjegjëse.
“Kërkojmë nga organet përgjegjëse, konkretisht nga Prokuroria e Shtetit, Inspektorati Policor i Kosovës të hetojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe të menjëhershme humbjen e jetës së të riut nga komuna e Lipjanit. Çdo neglizhim në këtë proces është i palejueshëm dhe i paligjshëm. Pyetja që lind natyrshëm është: ku është përgjegjësia institucionale, ku është komandanti i Stacionit të Policisë në komunën e Lipjanit, drejtori i përgjithshëm i policisë që do të duhej të jepnin dorëheqje për humbjen e të riut nga Komuna e Lipjanit, konkretisht në duar e forcave të rendit. Ata janë forca që do të duhej të na mbronin dhe jo të na merrnin jetën,” tha ajo.
Pas përfundimit të aksionit para Stacionit të Policisë, aktivistët vazhduan drejt objektit të gjykatës, ku Bajrami deklaroi se mesazhi i tyre qytetar po bartet edhe para gjykatës, me kërkesën që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë.
“Aksionin para Policisë së Lipjanit e përfunduam dhe erdhëm për t’i dhënë epilogun para gjykatës dhe për të kërkuar nga gjykata që ta trajtojë me prioritet dhe seriozitet maksimal rastin. Urojmë që të jetë rasti i fundit, sidomos kur përfshihen forcat e rendit, që do të duhej të ishin forca që do të na mbronin dhe jo të na merrnin jetën,” u shpreh ajo.
Performanca u zhvillua paralelisht me seancën gjyqësore që po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, ndaj pesë policëve të përfshirë në lidhje me rastin.



