Ndonëse bisedimet për paqe janë duke vazhduar, zyrtarët kanë raportuar se në luftën në Afganistan janë vrarë katër mijë civilë gjatë vitit 2018. Në mesin e të vrarëve është edhe një numër rekord i fëmijëve.
Kjo shifër e ka bërë vitin 2018 më të përgjakshmin për civilët në Afganistan prej kohës kur Organizata e Kombeve të Bashkuara ka filluar t’i regjistrojë rastet e vrasjes së civilëve para një dekade. Sipas kësaj organizate, gati dy të tretat e vrasjeve janë kryer nga grupet militante, përfshirë talibanët dhe të ashtuquajturin Shtetin Islamik.
Përndryshe, forcat afgane dhe amerikane janë përgjegjësie për 24 për qind të vrasjeve. Rreth 42 për qind e viktimave kanë vdekur nga sulmet vetëvrasëse me bomba. Në këtë aspekt, numri i viktimave nga bombat ka qenë më i madhi në vitin 2018 që nga raporti i parë i Kombeve të Bashkuara në vitin 2009.
Rritja e numrit të viktimave ka ndodhur për shkak të ashpërsimit dhe shpeshtimit të luftimeve mes grupeve rivale, veçanërisht në vjeshtën e kaluar. Sulmet e Shtetit Islamik shënuan rritje për 118 për qind, ndërsa sulmet e talibanëve u dyfishuan në krahasim me vitin 2017, shkruan “New York Times”,