I gjithë qyteti frymon ‘Verdh e kaltër’. Është dita e ndeshjes.
Kombëtarja e futbollit është ajo çka gëzon vëmendjen më të madhe të qytetarëve kosovarë, sidomo në ‘pauzat e kombëtareve’ në futboll.
Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Kombëtares së Kosovës ka bërë që qytetaret (edhe ata që nuk janë tifozë futbolli) t’i japin vëmendje maksimale kësaj kombëtare, e cila se fundmi është pika e vetme ku te gjithë bashkohen.
Se sa e rëndësishme është kombëtarja dhe djelmoshat që mbrojnë ngjyrat Dardane tregon edhe fakti se në një periudhë ku vendi është pa qeveri dhe po garohet për mandatarin e qeverisë, vëmendja kryesore është kthyer kah topi. Këtu të gjithë kanë qëndrime të njëjta; këtu Kosova po ecën përpara, tashmë me një synim të qartë, që mban emrin EURO 2020.
Rruga e Dardanëve drejt Evropës është koklavitur së fundmi me fitoren e çekëve kundër Anglisë, por ky devijim i kësaj rruge sikur bëri që te bashkohemi edhe më shumë. Trend kryesore në rrjetet sociale nuk është qeveria e re, por “KOSOVA MUND T’IA DALI”, “7 PIKË NE TRI NDESHJE”, “MUND TA BËJMË”.
Kur ndeshjet afrojnë, siç po afron edhe kjo kundër Malit të Zi, njerëzit se si janë më të shoqërueshëm rrugëve e lokaleve. “Po fitojmë a? Po po, kualifikohemi, a po e sheh Rashica e Muriqi… jemi në formë” – shtrengime duarsh mes të panjohurve, dhe gjithë kjo në emër të Kombëtares së Kosovës.
Merrnim rezultate negative në Shkodër, por udhëtonim drejt Turqisë, gabonim edhe atje e ktheheshim për të udhëtuar prap drejt ‘Loro Boriçit’, e nuk njohëm fitoren. Mbushëm stadiumet në Prishtinë, korrëm suksese në Ligë të Kombeve – e nisëm me barazime, por interesimi nuk u zbeh asnjëherë. Të gjithë janë tek kombëtarja – gjilanas, prishtinali, drenicas, pejanë, gjakovarë, etj.
Idetë e dikuj se përkrahja për Kosovën do të zbehet rezultuan të pasakta, pasi veç ajo po na mban afër, e na bën të ndihemi të mëdhenj e barabartë me të tjerët.
Jemi aty, për Kosovën, pavarësisht rezultateve. Jemi aty sepse e duam Kosovën, sepse na dhuron emocion, sepse aty nuk dallojmë nga njëri tjetri – kemi vetëm një qëllim, PËRKRAHJE PËR ‘DJEMTË E VOKRRIT’, pasi tifozi bën tifo, kurse rezultatet mbeten detyrë e djelmoshave më të mirë të vendit. HAJDE KOSOVË!