Çdo ushtri e botës kujdeset për traditat. Këngë ushtarësh, simbole, objekte të kohës dhe histori për trimëri dhe heroizëm në luftë – të gjitha këto kanë synimin që t’i nxitin ushtarët aktivë. Të vjetrit janë modeli. Kjo ndoshta tingëllon e çuditshme për ata që nuk kanë përvojë me ushtrinë. Por nga pikëpamja e ushtarëve, të cilët rrezikojnë jetën për vendin e tyre, kjo është e rëndësishme – për kohezionin social në trupë, por edhe për identitetin.
Prezantimi i objekteve të kohës së Wehrmachtit në dhomat e përbashkëta dhe në kazermat e ushtrisë gjermane tani, megjithatë, i shokoi shumë gjermanë. Me të drejtë, sepse fakti që këtu Wehrmachti i kohës naziste stilizohet në mënyrë të njëanshme është tronditës dhe pakujdesi ndaj historisë. Po, në ushtrinë e baballarëve dhe të gjyshërve tanë ka pasur heronj ushtarakë. Dhe po, shumica e ushtarëve të Wehrmacht-it mbetën “të pastër”, nëse një gjë e tillë është e mundur në një luftë.
Krimet e Wehrmachtit
Në anën tjetër, pjesë të ushtrisë së Hitlerit qenë të përfshira edhe në krimet më të rënda. Wehrmacht-i bëri një luftë brutale asgjësuese në Evropën Lindore. Ai e mbështeti ekipin e SS-vë në deportimin e hebrenjve dhe në ekzekutimet masive të civilëve. Ai la me qëllim që të vdesin nga uria qindra-mijëra të burgosur lufte sovjetikë. Prandaj Wehrmacht-i nuk mund të jetë model për ushtarët e një shteti demokratik, i cili është pjesë e aleancave ndërkombëtare dhe misioneve ndërkombëtare. Le të përfytyrojmë p.sh. sikur ushtarë polakë, të cilët stacionohen në kuadër të NATO-s në një kazermë gjermane, të përballen me objekte të Wehrmachtit, midis tyre edhe me armë, me të cilat janë vrarë të parët e tyre.
Ky do të ishte skandal i jashtëzakonshëm. Prandaj është e drejtë që ministrja e Mbrojtjes von der Leyen ka dhënë urdhër që kazermat të pastrohen nga objekte të tilla. Edhe i ashtuquajturi dekret për traditën i Bundeswehrit, i cili që prej vitit 1982 përcakton se cilave tradita duhet t’u referohet ushtria gjermane dhe cilave jo, duhet të përpunohet. Trajtimi i Wehrmachtit atje duhet të përcaktohet më konkretisht.
Heronjtë e vërtetë qenë në rezistencë
Do të kishte qenë më mirë, sikur Ministria e Mbrojtjes të kishte pastruar gjithçka. Flakje tej të traditave të Wehrmacht-it dhe të ngjashmeve. Flakje tej e emrave të gjeneralëve të Wehrmachtit, emrat e të cilëve i mbajnë edhe sot disa kazerma gjermane. Njerëz që nuk e patën guximin të ngrihen kundër planeve të Hitlerit për fushatën asgjësuese ose që të jepnin dorëheqjen. Në vend të kësaj, kazermat duhet të marrin emrat e anëtarëve të rezistencës kundër Hitlerit, të Kontit Stauffenberg, Henning von Treskow dhe të të tjerëve. Këta oficerë të Wehrmachtit, të cilët donin ta vrisnin Hitlerin, ishin të guximshëm deri në vdekje dhe përshtaten si modele për ushtarët e rinj. Ajo për të cilën ka nevojë ushtria jonë është një kurajo më e madhe qytetare. (DW)