Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, ka ngritur shqetësim rreth përhapjes së një loje të rrezikshme në TikTok, të quajtur “Sfidë apo e vërtetë”, e cila po i nxit sjelljet vetëdëmtuese të fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
“Deri tani, sipas publikimeve në dy shkolla 9-vjeçare të komunës së Fushë Kosovës dhe Lipjanit, janë identifikuar rreth 20 nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë lojë duke dëmtuar krahët e tyre me mjete të mprehta. Megjithatë, ekziston mundësia që ky numër të jetë më i madh apo që ai të rritet në ditët në vijim, duke qenë se loja qarkullon online dhe është e qasshme në telefona, pajisje të cilën shumë fëmijë e posedojnë apo me të cilën ata kalojnë një kohë të gjatë”, thuhet në reagimin e KOMF-it.
Kjo organizatë, u është drejtuar të gjithë fëmijëve, duke thënë se kjo nuk është një “lojë” dhe se luajtja e kësaj loje, i dëmton fizikisht dhe mund të ketë pasoja që zgjasin në shëndetin e tyre.
“KOMF i bën thirrje të gjithë fëmijëve që të raportojnë tek prindi apo mësuesi, nëse kanë informacion se shokët apo shoqet e tyre janë të përfshirë në këtë lojë. Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj! KOMF i bën thirrje të gjithë prindërve të monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe të flasin më fëmijët për këtë “lojë”, rreziqet dhe dëmet që ajo sjell. KOMF i bën thirrje prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve të mandatuara, të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë. Po ashtu, kërkojmë të sigurohet komunikim dhe koordinim intensiv dhe i vazhdueshem mes palëve të sipërpërmendura, në mënyrë që çdo rast i ri të referohet në kohë për të marrë shërbimet dhe ndihmën e nevojshme”, thekson kjo organizatë.
KOMF po ashtu u bënë thirrje institucioneve që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimin administrativ për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës, i cili derivon nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës.