KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim politik të subjekteve politike

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar lidhur me përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore nga subjektet politike, duke theksuar se një praktikë e tillë cenon të drejtat e tyre.

Në reagimin e tij, KOMF rikujton se ka bërë vazhdimisht thirrje që fëmijët të mos përfshihen në aktivitete politike, megjithatë sipas tyre kjo praktikë po vazhdon.

“Përkundër thirrjeve të KOMF për të mos përfshirë dhe shfrytëzuar fëmijët në aktivitetet e fushatës zgjedhore, subjektet politike po vazhdojnë t’i përfshijnë fëmijët në aktivitete politike,” thuhet në reagim.

Sipas KOMF, përdorimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre dhe është në kundërshtim me parimin e interesit më të mirë të fëmijës.

“KOMF rithekson se përfshirja dhe shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve, cenon dinjitetin dhe mirëqenien e tyre, si dhe është në kundërshtim me parimin e interesit më të mirë të fëmijës,” theksohet më tej.

Po ashtu, KOMF i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të rrisë monitorimin e aktiviteteve të partive politike dhe të ndërmarrë masa në rast të shkeljeve.

“KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të monitorojë në mënyrë aktive aktivitetet e subjekteve politike dhe, në çdo rast kur konstatohet përfshirja ose shfrytëzimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore, të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

Të ngjashme