Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF-i ka publikuar Raportin e Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”, raporton Ekonomia Online.
Donjeta Kelmendi, drejtoresh në KOMF, tha se këtë vit gjendja e fëmijëve është akoma më e rënduar për shkak të pandemisë.
“Këtë vit Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve i gjen akoma në gjendje më të rëndë për shkak të pandemisë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale, krizat kanë ndikuar në shëndetin mendor në përgjithësi, fëmijët të cilët janë të përfshirë në punë të rënda po ekspozohen gjatë pandemisë dhe po rrezikohen”.
Ajo tha se fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet as nga Qeveria as nga komunat.
“Fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet as nga Qeveria as nga komunat qoftë në ofrim të shërbimeve qoftë në ndarje të buxhetit. KOMF i drejtohet Qeverisë dhe komunave të marrin me urgjencë trajtimin e tyre”, tha ajo.
Bukureza Surdulli, nga KOMF prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit mbi Procesin e Decentralizimit të Shërbimeve Sociale për vitin 2019, i cili u realizua në shtatë komuna të Republikës së Kosovës.
Ajo tha se në Kosovë për ofrimin e shërbimeve sociale trajtohen vetëm rastet emergjente.
“Për shkak të gjendjes së rëndë shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime kjo gjendje vetëm sa është përkeqësuar, procesi i decentralizimit ka bërë që të trajtohen vetëm rastet urgjente, nuk ka shërbime për parandalim të dhunës”, tha Surdulli.
“Pengesa kryesore ka qenë mungesa e vullnetit politik në komuna dhe qeverisje lokale, komunat kanë deklaruar që nuk kanë qenë të përgatitur për të pranuar kompetencat nga niveli qendrorë. Komunat nuk ndajnë buxhet për shërbimet sociale përveç komunës së Lipjanit”.
“Nuk është krijuar formula e shërbimeve sociale, kur ndahet buxheti nuk dihet se sa duhet të jetë shumë, ato mbesin shuma simbolik. Buxheti nga ministria e atëhershme e Punës dhe Mirëqenie Sociale 99% është për buxheti total dhe vetëm 1% buxheti për shërbime sociale”.
Surdulli tregoi disa nga gjetjet gjatë këtij raporti, raporton Ekonomia Online.
“Të gjeturat tjera janë: mungesa e kapaciteteve të komunave, drejtoritë nuk kanë profesionit, paqartësitë e kompetencave të institucioneve për të ofruar shërbime sociale, mungon një komunikim i rregullt përfshirë edhe OJQ-të që ofrojnë shërbime. Ka mungesë edhe të informimit të publikut dhe fushatave vetdijsuese, në 7 komuna”.
“…hartimi i formulës së financimit nga niveli qendrorë, monitorimi dhe vlerësimi nga sektori joqeveritarë privat, licencimi i shërbimeve sociale të ofruara nga sektori publik, krijimi i një skeme të qëndrueshme për komunat për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjarëve, rritja e numrit dhe profilizimi i zyrtarëve që merren me punë sociale”, tha Surdulli.