Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe Mirënjohjeve vjetore “Mik i fëmijëve” për kontribuuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur tre gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2022 në fushën e gazetarisë për: Dafina Halili, Kosovo 2.0, për hulumtimin “Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara”; Donjeta Murselaj, Klan Kosova, për reportazhin i cili trajton rastin e Florentit, të cilit i mohohet e drejta e regjistrimit në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë-Kosovë vetëm pse është në karrocë dhe Saranda Ramaj, Koha, për shkrimet me 17 vazhdime, që shpalojnë keqpërdorimet e shumta me mjetet e shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë, fiton Çmimin Vjetor 2022.
Ndërkohë që Paneli Vlerësues për nominimet Mik i Fëmijëve, i përbërë nga Blerta Perolli Shehu – Universiteti i Prishtinës, Anita Çavdarbasha – Zëvendëse e Avokatit të Popullit dhe Adelinë Sahiti – Drejtoreshë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, ka vlerësuar dhe ndarë pesë Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për pesë personalitete të cilët përgjatë 2022, kanë ofruar mbështetje e kontribut në mbrojtje e mirëqenie të fëmijëve të cenueshëm.
Më pas Blerta Perolli-Shehu, kryetare e panelit vlerësues tha se kanë bërë përzgjedhjen e pesë personave që në këtë vit kanë ndihmuar fëmijët në forma të ndryshme.
Me mirënjohjen “Miku i fëmijëve”, u nderua Burim Piraj pronar i kompanisë “Meka Hallall Food”, mbështetës i rregullt i “Team Rijad”, ka ndërtuar në një shkollë në Dragash pjerrina dhe tualete për fëmijët me nevoja të veçanta.
Piraj tha se fëmijët janë shtresa më e bukur dhe më e mirë për shoqërinë tonë.
“Duhet të inkuadrohemi të gjithë të bëjmë çmos që edhe Rijadi edhe të gjithë fëmijët e tjerë të ndihen të sigurt”.
Me mirënjohje i nderua edhe familja strehuese e Mejreme e Avdullah Kadriut.
Avdullah Kadriu pas pranimit të çmimit tha se janë familje strehuese që nga viti 2004 dhe këtë punë e bëjnë me shumë përkushtim.
“Miku i fëmijëve” për këtë vit u vlerësuar edhe Luan Sallahi, afarist nga Zvicra bashkë me disa mërgimtarë kanë kontribuar në lehtësimin e transportit të disa fëmijëve në Prizren.
Edhe Shpresa Xhaki, filantropiste, tha se ndihet e nderuar me mirënjohjen e ndarë duke shtuar se ndihmën ndaj fëmijëve e filloi 12 vjet më parë, e shkak u bë djali i saj me autizëm.
Mirënjohja e radhës iu nda Atije Idrizajt nga Poliklinika “Rezonanca”, e cila ka mundësuar që 4 fëmijë nga SOS fshatrat e fëmijëve të shkollohen e të punësohen nga ta.
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e KOMF-it, tha se viti 2022 ka qenë shumë i vështirë për të gjithë e sidomos për fëmijët, prandaj sipas sa, ka qenë mëse e nevojshme ndihma për ta.
“Ky është viti pas pandemisë, ka qenë një vit i rëndë për fëmijët. Fëmijët si asnjëherë më parë kanë pasur nevojë për mbështetje. Kemi pritur më shumë nga institucionet publike. Sot jemi këtu për të vlerësuar dhe për të dhuruar mirënjohje për miqtë e fëmijëve dhe gazetarëve”.
Johannes Stenbaek Madsen, shef i Seksionit për Bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se fëmijët janë liderët e së ardhmes dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen çdo ditë.
“Të drejtat e fëmijëve duhet të mbrohen. Nuk duhet të harrojmë se fëmijët janë liderët e të nesërmes. Shoqëria civile dhe media kontribuojnë ne informimin e një pjesë të shoqërisë”.
Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) tha se ndihet mirë që po shpërblehen ata që me të vërtet kontribuojnë për fëmijët, por tha se ende ka shumë punë për të bërë.
“Kemi mungesë të arsimit cilësor, hapësirave të qasshme, aktiviteteve kulturore, mungesa të duhura shërbime sociale dhe familjare. Ndihem shumë mirë që sot jemi këtu të mbledhur nga KOMF. Ne si KCSF prej fillimi të këtij viti jemi duke përkrahur KOMF me një grand institucional nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Mua po më vjen shumë mirë që përveç përkrahjes ditore, ju po e zhvilloni edhe me traditën vjetore për ndarje të çmimeve”.
Kjo ngjarje u mundësua përmes projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga KOMF, në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, si dhe programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.