Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një
letre iu është drejtuar Ministrit të Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia,
Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në detyrë Hykmete
Bajrami dhe kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, sigurimin e
shërbimeve esenciale për fëmijët me aftësi të kufizuar gjatë kohës së pandemisë
Covid-19.
KOMF shpreh shqetësim të thellë për
gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve ose kujdestarëve të
tyre, e cila gjatë kohës së pandemisë është rënduar edhe më shumë dhe konsideron që mirëqenia dhe shërbimet shëndetësore,
sociale dhe arsimore duhet të jenë prioritet gjatë kësaj kohe.
Bazuar në nevojat e fëmijëve me aftësi
të kufizuara dhe familjeve ose kujdestarëve të tyre, KOMF kërkon nga
institucionet qeveritare që të konsiderojnë kërkesat e mëposhtme lidhur me fëmijët
me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të sigurojmë mirëqenien e tyre gjatë përballjes
me COVID-19.
KOMF kërkon:
- Qasje në informacionet
dhe udhëzimet e komunikuara rreth shëndetit publik për fëmijët me aftësi të
kufizuara. Kjo nënkupton që mesazhet e transmetuara për shëndetin publik duhet
të jenë gjithëpërfshirëse, duke mos diskriminuar apo stigmatizuar askënd.
Gjithashtu, këto udhëzime duhet të jenë në përputhje me legjislacionin
ekzistues në raste katastrofash natyrore ose në raste emergjente. Informacionet
dhe udhëzimet duhet të kenë një gjuhë të qartë për t’u lexuar dhe kuptuar; Mënyrat
për qasje në informacione mund të shtohen, ku përveç internetit në kohën e
pandemisë mund të vihen në dispozicion edhe linjat telefonike, videot,
broshurat informuese etj, si dhe interpretimi i përshtatshëm në gjuhën e
shenjave. Në rastin e informimit të fëmijëve të verbër mbi epideminë, zgjidhjet
alternative rreth mbrojtjes dhe kujdesit duhet të hulumtohen dhe formulohen nga
vetë këta persona dhe nga organizatat që i përfaqësojnë ata.
- Investim në ofrimin e
shërbimeve dhe pajisjeve të nevojshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Është
shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të eliminohet çdo pengesë financiare
lidhur me qasjen në kujdesin shëndetësor për fëmijët me aftësi të kufizuara.
KOMF kërkon nga institucionet përgjegjëse që të krijojnë një pako ekonomike për
mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, e cila mund të përmbajë pagesa
të shumave për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndihmë për shpenzimet specifike
dhe zgjatjen automatike të çdo ndihme të marrë edhe nëse dokumentacionit të
nevojshëm i ka skaduar afati. Shërbimet dhe pajisjet e domosdoshme në karantinë
duhet të jenë plotësisht të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. Shërbimet
shëndetësore dhe ato sociale kanë vazhdimisht mungesë të financimit të
mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm. Investimi në këto shërbime është thelbësor dhe
urgjent për të plotësuar shpenzimet e rritura për shkak të pandemisë, përfshirë
sigurimin e ilaçeve, mjeteve mbrojtëse dhe mbështetjes për stafin që punon
jashtë orarit.
- Sigurim të produkteve
esenciale, mbështetje profesionale gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19 për
fëmijët me aftësi të kufizuara. Asnjë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk duhet
të mbetet pa ushqim, mbështetje dhe shërbime profesionale të domosdoshme. Institucionet
duhet të vendosin mekanizma për të autorizuar personat me aftësi të kufizuara
të jenë në gjendje të dalin gjatë karantinimit të detyrueshëm, për periudha të
shkurtra dhe në mënyrë të sigurt, kur përballen me vështirësi gjatë mbylljes
dhe qëndrimit në shtëpi. Sigurimi i qasjes në internet (duke i liruar nga
pagesa) dhe sigurimi i pajisjeve elektronike për familjet që kanë fëmijë me
aftësi të kufizuara duhet
të bëhet, në mënyrë që
fëmijët me aftësi të kufizuara të mund të marrin shërbime profesionale dhe
mbështetje online nga profesionistët që punojnë me fëmijët me aftësi të
kufizuara. Një shembull i mirë i cili mund të replikohet është Komuna e
Prishtinës e cila ka zhvilluar aksionin për sigurimin e pajisjeve elektronike
për fëmijët në nevojë në Komunën e Prishtinës.
- Mbështetje
profesionale për prindërit/kujdestarët si dhe familjet strehuese: Kriza dhe
masat e izolimit mund të përkeqësojnë shëndetin mendor dhe gjenerojnë frikë dhe
ankth, prandaj mbështetja profesionale për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të
kufizuara, është e rëndësishme dhe e domosdoshme.
- Organizimi i
vizitave në terren, nga përfaqësuesit e institucioneve të mandatuara për të
siguruar mbrojtje, për personat e identifikuar me aftësi të kufizuara që
keqtrajtohen në shtëpi ose brenda komunitetit, dhe të sigurohet mbështetje
adekuate për ta në mënyrë që të respektohen të drejtat e tyre njerëzore.
KOMF, i themeluar në 2011, është koalicion i përbërë nga 31 organizata jo
qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së
fëmijëve.
Organizatat anëtare të KOMF: Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime
dhe Avokim –ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova,
Childproof/CIPOF, Education Comes First – ECF, Iniciativa 6, Organizata Rinore
Akti – Ora, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKKOS, Programi për të Drejtat Civile –
CRP/K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit
Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të
qenieve njerëzore – MVPT, Qendra për Studime të Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Save the
Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë
– SDSF, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK Kosova, Shoqata e
Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des
hommes, The Ideas Partnership, VoRAE, World Vision, Public Organization for
Local Initiatives and Supports – POLIS, Network of Peace Movement – NOPM,
Qendra Sociale – Edukative SOS Kopshti, Nevo Koncepti, Qendra Labyrinth dhe
Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN).
Kjo kërkesë u hartua në bashkëpunim edhe me organizatën Solidar Suisse, e
cila është pjesë e Grupit Tematik për Shëndetësi në kuadër të KOMF.