Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë me mesazhin “Shërbimet për fëmijët po mbyllen! Alarm për veprim për Komunat, Qeverinë dhe Kuvendin”, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, ky aktivitet ka për qëllim t’i bëjë një thirrje për veprim Komunave, Qeverisë dhe Kuvendit lidhur me gjendjen e rëndë të ofrimit të shërbimeve sociale sa i përket financimit të tyre për vitin 2024.
Ofruesit e shërbimeve sociale në vitin 2024, janë në gjendje më të rëndë sa i përket financimit të shërbimeve sociale krahasuar me vitet e fundit. Kjo për arsyen, që në Dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke lënë zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve sociale. Në anën tjetër, Komunat nuk po arrijnë të financojnë shërbimet sociale përkundër që shërbimet sociale janë decentralizuar që nga viti 2009. Si pasojë, shërbimet e domosdoshme për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve po mbyllen.
Në emër të koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, tha se mbyllja e shërbimeve sociale për fëmijët, duhet të jetë alarm për komunat, Qeverinë dhe Kuvendin.
“Ofruesit e shërbimeve sociale janë në gjendje më të rëndë në vitin 2024 duke pas parasysh që në dhjetor 2023 për pjesën më të madhe të tyre të ofruesve të shërbimeve kanë përfunduar programet të cilat kanë qenë në mbështetje të shërbimeve sociale të mbështetura nga donatoret ndërkombëtarë duke pas parasysh këtë situatë dhe një mungesë e financimit të qëndrueshëm nga institucionet publike duke filluar nga janari i këtij viti një pjesë e shërbimeve për fëmijët janë mbyllur një pjesë e ofruesve të shërbimeve kanë kufizuar shërbimet dhe një pjesë kanë kufizuar ulur numrin e përfituesve fëmijë por edhe prindërit dhe familjet e tyre kjo situatë në qoftë se vazhdon mënyrën e njëjtë edhe për muajt në vijim do vijojë me mbyllje tjera ta shërbimeve që mund të çojë në një kolaps në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve të bëjë edhe një precedentë për shtetin e Kosovës”, theksoi Kelmendi.