Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka reaguar në lidhje me situatën e fëmijëve, të cilët punojnë në kushte të rrezikshme për të mbajtur familjen.
Gjithashtu, KOMF ka kërkuar adresimin e problematikave kyçe të fëmijëve në Kosovë, që kërkojnë zgjidhje emergjente.
Komunikata e plotë e tyre:
Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të premtimeve të shumta që subjektet politike kanë shpalosur në fushatën elektorale, në garën për qeverisjen e vendit.
KOMF përmes një dokumenti “Një Kryeministër për Fëmijët”, ju është adresuar partive politike duke ju rikujtuar disa fakte rreth situatës së fëmijëve dhe nevojës që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato.
Në Kosovë 6.8% e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme për të mbajtur familjen. 61.4% e fëmijëve kanë pësuar nga dhuna psikologjike apo ndëshkimi fizik. Vetëm 4.5 % e fëmijëve janë të përfshirë në institucione parashkollore të licencuara. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet. Duhani dhe drogat po rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve. Shumë fëmijë pa kujdes prindëror, viktima të abuzimit kanë nevojë për strehim dhe shërbime.
Konkretisht, KOMF ka kërkuar adresimin e problematikave kyçe të fëmijëve në Kosovë, që kërkojnë zgjidhje emergjente.