Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur shqetësimin në lidhje me vendosjen e pagesës ditore për prindërit, kujdestarët ligjorë/përcjellësit e fëmijëve mbi 15 vjeç në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme.
KOMF në reagim thotë se kjo bie në kundërshtim me dispozita ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës dhe me konventat ndërkombëtare.
“KOMF shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendosjen e pagesës ditore për prindërit, kujdestarët ligjorë/përcjellësit e fëmijëve mbi 15 vjeç në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme. Ky vendim bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës dhe me konventat ndërkombëtare. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, neni 3, nënparagrafi 1.1, përcakton se: “Fëmijë – nënkupton çdo qenie njerëzore nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet”. Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës përkufizon “fëmijën” si çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, përveç nëse sipas ligjit që i zbatohet atij, mosha madhore arrihet më herët. Po ashtu, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Neni 7.4 përcakton që Fëmija ka të drejtë që, gjatë qëndrimit në institucionin shëndetësor me shtretër, ta ketë pranë prindin, përfaqësuesin ligjor ose të afërmin e përcaktuar nga ai ose nga përfaqësuesi ligjor. Për rrjedhojë, kufizimi i mbështetjes apo vendosja e barrës financiare për prindërit apo kujdestarët ligjorë të fëmijëve nga mosha 15 deri në 18 vjeç është në kundërshtim me përkufizimin ligjor të fëmijës në Republikën e Kosovës dhe cenon parimin themelor të interesit më të mirë të fëmijës”, thuhet në reagim.
KOMF e specifikon që prania e prindit apo kujdestarit ligjor gjatë hospitalizimit është nevojë thelbësore.
“Prania e prindit apo kujdestarit ligjor gjatë hospitalizimit është nevojë thelbësore për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të fëmijës. Një vendim i tillë shkel të drejtat e fëmijës, rrezikon të krijojë pengesa shtesë për familjet dhe të ndikojë negativisht në qasjen e barabartë të fëmijëve në shërbime shëndetësore. Për më tepër, KOMF vlerëson se në shumë raste prindërit apo kujdestarët ligjorë kryejnë një pjesë të punës mbështetëse brenda institucionit shëndetësor. Ky kontribut duhet të njihet dhe të vlerësohet, e jo të sanksionohet përmes vendosjes së pagesës. KOMF i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të harmonizojnë çdo akt administrativ me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare, duke vendosur në qendër interesin më të mirë të fëmijës”, përfundon reagimi i KOMF.