KOMF: Rritet numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë

Prishtinë | 14 Kor 2024 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka shprehur shqetësim për situatën e rëndë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë apo punojnë në rrugë.

Ditëve të fundit është vënë re një rritje e rasteve të fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë, sidomos në orët e vona të natës.

Fëmijët po përballen me një sërë rreziqesh serioze për shëndetin dhe jetën e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët nën tre vjeç dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të larta mbi 35 gradë Celsius gjatë ditës. Fëmijët në situatë rruge janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional. Fëmijët po kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.

KOMF i bën thirrje komunave dhe institucioneve komunale që të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve në situatë rruge.

KOMF, po ashtu u bën thirrje prindërve që të mos  keqpërdorin dhe shfrytëzojnë fëmijët për kërkim të lëmoshës dhe për punë të rënda. Shfrytëzimi i fëmijëve përbën vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Kosovës.

KOMF i bën thirrje edhe qytetarëve, sidomos atyre që vinë nga diaspora, të mos ofrojnë lëmoshë për fëmijët. Dhënia e lëmoshës mund të nxisë edhe më shumë daljen e fëmijëve në rrugë dhe kështu rrezikohet shëndeti, mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve.

Të ngjashme