Komisionarja për Zgjerim: Presim lëvizje në Kosovë pas zgjedhjeve

Prishtinë | 14 Jan 2025 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.

Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.

“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.

Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.

“Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Koosva e çfarë është duke bërë Serbia”, tha Kos.

Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit ku pret progres më të madh sesa që ka pasur një djetë vitet e fundit.

“Mund të kemi përparim gjatë presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vitet e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndër qeveritare“ ka thënë ajo.

Kos gjithashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi por edhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

“Mali i Zi ka vizion të mbarojë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do i mbështesim ato por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra kur kandidatët të përmbushin kriteret atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“ ka thënë ajo.

Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak,ka paralajmëruar tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Kmisioni i Përbashkët është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur.REL

Të ngjashme