Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me zyrtarë të qeverisë së Kosovës, përfshirë presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe me opozitën, liderët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
BE ka thënë së këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Komisioneri Várhelyi dhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lançojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizojnë më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.
Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) e cila është në fuqi që nga 1 prill 2016.
Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Komisioni do të raportoj sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj evropiane në Paketën e zgjerimit 2023, e cila do të dalë në vjeshtë.