Komisionerja e BE-së për Ekonomi Digjitale merr pjesë në konferencën e ministrisë së Inovacionit

Mariya Gabriel
Prishtinë | 08 Tet 2018 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë më 11 dhe 12 tetor 2018 organizon Konferencën Ndërkombëtare “DIGITALKS”.

Kjo është Konferenca e parë e ketij formati në Kosovë dhe mbledh më shumë se 1,000 palë të interesuara, politikë-bërës të nivelit të lartë, akademikë dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët ndajnë dhe shkëmbejnë praktikat dhe politikat më të mira për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Fokus të veçantë do të ketë rritja ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Ekonomia Online.

Pjesëmarrës në konferencë do të jenë Mariya Gabriel – Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, ministrat përgjegjës për Inovacion dhe Ekonomi nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues nga James Madison University nga ShBA-ja.

Pjesë e konferencës do të jenë edhe përfaqësues nga LSE nga Londra, Kryetarët e Odave Ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ekspertë të fushës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nga vendi dhe rajoni.

Përmes Konferncës “DIGITALKS” Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë po synon sensibilizimin për rëndësinë e inovacionit dhe ekonomisë digjitale, rritjen e përkrahjes së inovacionit dhe ndërmarrësisë në shërbim  të rritjes ekonomike të vendit, si dhe zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme