Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, ka vizituar Qendrën Inovative të Kosovës (ICK).
Pasi ka vizituar mjediset dhe ka bashkëbiseduar me drejtuesit e stafin, Gabriel u shpreh e impresionuar me punën që bëhet në ICK. Ajo deklaroi se këtu takoi kampionë të fushës së teknologjisë informative e inovacionit, e të cilët tha se duhet të mbështeten.
Komisionerja e BE-së, në një deklaratë për Ekonomia Online, theksoi se është e rëndësishme që të mbështetet edukimi i të rinjve në fushën e digjitalizimit, derisa shtoi se kjo formë e edukimit është sfidë e përbashkët.
“Kosova ka mundësi…Digjitalizimi është i rëndësishëm për ekonominë dhe krijon perspektivë për të rinjtë”, u shpreh ajo.
“Definitivisht, ne kemi këtu disa nga kampionët dhe ne duhet t’i mbështesim ata. Është e rëndësishme t’ i mbështesim aftësitë digjitale, që të vëmë theksin në arsimim”.
Ajo tha se kur flitet për arsimim, duhet një bashkëveprim mes prindërve, mësuesve, institucioneve dhe të rinjve. “Prandaj, ne e shohim se digjitalizimi është sfidë e jona e përbashkët”.
Drejtori i ICK-së, Uranik Begu, tha se kjo ishte një vizitë inkurajuese dhe emocionale. Ai theksoi se bizneset start-up kanë nevojë për sa më shumë inovacion dhe kërkoi përkrahjen e BE-së.
“Për hapat e mëtutjeshëm do të diskutojumë me Zyrën e BE-së në Kosovë për të parë formën më të mirë. Inovacioni është imperativ i kohës dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me komisioneren për agjendën tonë të përbashkët digjitale”, tha Begu për Ekonomia Online.
Komisionerja Gabriel shoqërohej dhe nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, e shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Gabriel do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “DIGITALKS”, e cila po mbahet në Prishtinë nën organizimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Konferenca dyditore ka mbledhur në Prishtinë qindra ndërmarrës e ekspertë të ekonomisë, politikëbërës të nivelit të lartë, akademikë dhe palë të tjera të interesit, të cilët për dy ditë do të ndajnë dhe shkëmbejnë praktikat dhe politikat më të mira për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë me fokus të veçantë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.