Praktikë e punës së Kuvendit, sidomos në vitet e fundit është bërë edhe formimi i komisioneve hetimore për çështje të ndryshme, por që në shumë raste edhe nuk e kanë përfunduar punën e tyre.
Mospërfundimin e punës së komisioneve, ku edhe u intervistuan numër i madh i personave dhe u shpenzuan mjete të konsiderueshme, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se u bë për shkak të jo stabilitetit.
Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme dhe të jashtëzakonshme bënë që shumica e komisioneve të mos e përfundojnë punën e tyre.
“Komisionet hetimore kanë dështuar një numër i madh i tyre për shkak të jo stabiliteti politik dhe nuk kanë arritur ta përfundojnë punën e tyre. Kanë ndodhur zgjedhje të parakohshme e të jashtëzakonshme e kështu me radhe dhe këtu është ndër arsyet pse shumica e komisioneve parlamentare hetimore nuk kanë arritur të përfundojnë punën e tyre”.
Dugolli thotë se vetëm një Komision ka arritur që ta qoj deri në fund mandatin që kishte marrë, ai për dëbimin e gylenistëve.
Sipas tij, falë punës së këtij Komisioni janë ngritur edhe aktakuza nga Prokuroria.
“Jo të gjitha kanë dështuar ta përmend Komisionin për dëbimin e gylenistëve ai ka përfunduar punën e vet dhe ka nxjerrë rezultate të jashtëzakonshme të cilat janë dorëzuar në prokurori dhe falë atij komisioni tash edhe kemi aktakuza që prokuroria i ka ngritur bazuar në hulumtimet dhe të gjeturat e Komisionit hetimor për dëbimin e gylenistëve”, tha Dugolli.
Përderisa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku tha se komisionet hetimore e kanë për qëllim edhe vetëdijesimin qytetar me probleme të mëdha dhe keqpërdorimet e mundshme që kanë ndodhur.
Lushtaku përmendi edhe dështimin e formimit të Komisionit hetimor për shtrenjtimin e rrymës, duke e qujaur arrogante reagimin e pozitës e që sipas tij, kjo është sinjal se mund të ketë keqpërdorime.
“Komisionet hetimore e kanë për detyrë që të hetojnë dhe kanë mandat dhe fuqinë e tyre që të kenë me hollësi detaje dhe fakte më të detajuar se të tjera komisione. Pavarësisht epilogut të saj kur të hartohet raporti pastaj mbetet te pjesa e drejtësisë, gjykatat që ato të marrin përsipër pjesën e gjykimit të tyre. Nuk varen pastaj prej parlamentit, por akti më i lartë në këtë rast të hetimit parlamentar mbetet në kompetencë të komisioneve hetimore”.
“Është fatkeqësi e madhe që në këtë drejtim që ndërlidhet edhe me ngritjen e çështjes së komisionit nga PDK-ja për shtrenjtimin e rrymës dhe arrogancën e mazhorancës për të mos mbështetur këtë të drejtë kushtetuese sigurisht që po shihet se kanë frikësim më të dukshëm në këtë aspekt. Komisionet hetimore e kanë për qëllim edhe vetëdijesimin qytetar me probleme të mëdha dhe keqpërdorimet e mundshme që kanë ndodhur”, tha Lushtaku.
Edhe deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se komisionet kanë dështuar shkaku i ndërrimit të Qeverive, raporton EO.
“Shpeshherë ka ndodhur që nuk iu ka mjaftuar koha e caktuar dhe është kërkuar kohë shtesë, por megjithatë asnjë Kuvend nuk e ka kundërshtuar. Ne nuk e dimë se çka po i pengon mazhorancës formimi i një komisioni të tillë hetimor”.
“Nuk di që janë anuluar sepse secili Komision hetimor e ka mandatin e caktuar. Nëse janë anuluar janë anuluar për shkak të ndërrimit të shpeshtë të qeverive”, tha Kadriaj.