Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës në Bruksel mbajtën Nënkomitetin e 3-të të MSA-së për ekonomi, çështje financiare dhe statistika, transmeton Ekonomia Online.
Takimi u përqendrua në ekonomi, çështje financiare, statistikë dhe kontroll financiar. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të Agjendës të Reformave Evropiane dhe të Programe të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit për Kosovën.
Përfaqësuesit e Komisionit dhe të Qeverisë së Kosovës diskutuan një numër fushash të politikave, duke përfshirë zhvillimin makroekonomik të Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, reformat strukturore dhe zhvillimin e sektorit privat, sistemin statistikor dhe kontrollin financiar. Fillimisht, Komisioni theksoi rëndësinë e zbatimit të Konkluzioneve të
Përbashkëta të miratuara së fundmi për Programet e Reformës Ekonomike (PRE) 2019-2021.
Në fushën e politikave ekonomike dhe fiskale, u diskutuan zhvillimet kryesore ekonomike duke përfshirë rritjen e BPV-së, inflacionin, tregun e punës dhe konkurrueshmërinë e jashtme.
Ndërkohë që rritja ekonomike e Kosovës është mbajtur mirë në vitin 2018, me 3.7% rritje të BPV-së, përshpejtimi i vazhdueshëm i parashikuar i rritjes së BPV-së mbi mesataren historike meriton një vështrim më nga afër.
KE bëri thirrje për të marrë parasysh perspektiven më reale të BPV-së, e cila do të duhej të ishte në përputhje me parashikimet konsensuale. Në kontekst të ekonomisë në rritje, Komisioni kërkoi sqarime në lidhje me rënien e pjesëmarrjes në tregun e punës. Pala e Kosovës njoftoi se pritjet e inflacionit do të rishikohen për lart për vitin 2019.
Qeveria paraqiti perspektivën për politikat fiskale, duke pasqyruar parashikimet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH). Pala e BE nënvizoi rëndësinë e respektimit të udhëzimeve të politikave të PRE-së dhe shprehu shqetësime në lidhje me rritjen e shpenzimeve rrjedhëse dhe ekzekutimin e pamjaftueshëm të buxhetit kapital.
Pala e BE-së theksoi mbështetjen e saj për reformën e administratës publike në Kosovë, megjithatë, theksoi rëndësinë e mbajtjes së kostos së reformës në nivel që mundëson ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale në buxhetin për vitin 2020.
Në këtë kontekst, Komisioni kujtoi nevojën e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal duke respektuar
kufijtë e shpenzimeve dhe deficitit, të përcaktuara me rregullat fiskale. Sa i përket sektorit financiar, diskutimet u zhvilluan rreth zhvillimeve të fundit në sektorin bankar dhe të sigurimeve.
Autoritetet paraqitën gjendjen e reformave strukturore kryesore në sektorë të tillë si shëndetësia, administrata publike, reforma e pensioneve dhe privatizimi. Pala e BE-së ftoi autoritetet që të
përmbahen nga miratimi i çfarëdo iniciative të re pensionale dhe sociale në pritje të rishikimit të të gjitha skemave ekzistuese sociale dhe të vlerësimit të implikimeve të tyre afatgjata fiskale. Për më tepër, pala e BE-së kërkoi që të informohet vazhdimisht mbi zhvillimet në reformat kryesore të sektorit publik siç janë shëndetësia dhe pensionet, si dhe implikimet e tyre fiskale.
Komisioni mori parasysh progresin e bërë në reformat e tjera strukturore, por theksoi nevojën për të adresuar çështje të ngutshme, siç është gjendja në tregun e punës, informaliteti gjerësisht i përhapur, furnizimi me energji që janë fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për reforma.
Pala e BE-së theksoi se nxitja e zhvillimit të sektorit privat, forcimi i produktivitetit dhe krijimi i vendeve të punës duhet të udhëheqin agjendën e reformave në Kosovë.
Në fushën e statistikave, Komisioni vuri në dukje nevojën për zbatuar ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin për Statistikat. Gjendja e burimeve për prodhimin e statistikave zyrtare në
Kosovë u diskutua edhe në lidhje me kërkesat e të dhënave dhe afatet e tyre kohore. Diskutimi u përqendrua gjithashtu në kërkesën për të forcuar llogaritë kombëtare, dhe për këtë qëllim edhe
statistikat e biznesit. Mbledhja efikase dhe publikimi i statistikave është prioritet për politikat e bazuara në dëshmi. Komisioni theksoi nevojën për të ndjekur përgatitjet e nevojshme për Regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, veçanërisht lidhur me metodologjinë dhe ndarjen e fondeve të nevojshme.
Në fushën e Kontrollit Financiar u diskutuan zhvillimet e fundit në Kontrollin e Brendshëm të
Financave Publike. Është theksuar se vëmendja duhet t'i kushtohet sigurimit të një sistemi
gjithëpërfshirës të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike dhe Menaxhimit të Financave
Publike dhe Reformave të Administratës Publike. Kosova duhet të hartojë një Dokument gjithëpërfshirës të Politikave për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike me një fokus të veçantë në zbatimin e parimit të llogaridhënies menaxheriale.
Komisioni nënvizoi nevojën për të forcuar funksionin mbikëqyrës dhe kontrollues të Parlamentit dhe Qeverisë për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm.
Takimi u bashkë kryesua nga Ministria për Integrime Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare, dhe ajo për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit.