Komisioni Evropian do të ndajë grante për bujqësi në vlerë prej 8.5 milionë euro gjatë vitit 2019.
Sot KE prezantoi ftesën për grante në Komunën e Gjilanit, ku kishte interesim të jashtëzakonshëm nga bujqit dhe agro-përpunuesit nga ky regjon.
Në fjalën e tij drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka ftuar gjithë të interesuarit të shfrytëzohet kjo mundësi për aplikim deri më 15 prill.
“Ftoj të gjithë fermerët, prodhuesit dhe agro-përpunuesit që të aplikojnë në këto grante që ndan Komisioni Evropian, sepse janë grante zhvillimore të cilat do të ndikojnë në stabilizim, zgjerim dhe ngritje të zhvillimit në sektorin privat”.
Nga zyra e BE-së në Prishtinë ka folur drejtoresha ekzekutive Daniela Topirceanu, e cila ka prezantuar në detaje progamin e granteve që në nivel të Republikës së Kosovës do të jetë 8.5 milionë euro dhe është e ndarë në tri lote.
Loti i parë është investime në asete fizike, procesim dhe zhvillim të hapësirave rurale, dhe vlera e këtij loti është 3.5 milion euro, ndërsa pragu për aplikim është nga 150 mijë euro minimum deri në 300 mijë euro maksimumi me bashkëfinancim prej 50 – 65 për qind, njofton Komuna e Gjilanit përcjellë Klan Kosova.
Loti i dytë i adresohet kryesisht agro-biznesit, industrisë së ushqimit dhe ngritjes së standarteve dhe vlera e këtij loti është 3 milionë euro, kurse pragu i aplikimit është nga 200 mijë euro deri në 400 mijë euro me bashkëfinancim nga 50-55 për qind.
Loti i tretë destinohet zonave rurale dhe zhvillimit të tyre në një vlerë prej 2 milionë euro në pragun e investimit nga 100 mijë deri në 200 mijë euro me bashkëfinancim 50 – 65 për qind.
Përndryshe, në këtë session informues pos fermerëve ishin të pranishëm edhe kompanitë prodhuese si: Fluidi, Calabria, Malësia, Kon Soni, Dhemetra, Fungi FF.