Komisioni francez: 10.000 fëmijë mund të jenë viktima të abuzimit të kishave

Prishtinë | 02 Mar 2021 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i një komisioni të pavarur hetimor rreth abuzimit të fëmijëve nga kishat tha të martën se mund të jenë deri në 10.000 viktima që nga viti 1950.

Jean-Marc Sauve, kryetar i komisionit të themeluar nga Kisha Katolike, tha se vlerësimi i kaluar në qershor të vitit 2020 se mund të jenë 3.000 viktima të abuzimit është qartazi nënvlerësim, shkruan France24.

“Është e mundshme që shifra të jetë së paku 10.000”, shtoi ai në një konferencë për gazetarë, ku dha informata të reja për punën e komisionit.

Një linjë telefonike e vendosur në dispozicion në qershor të vitit 2019 për viktimat dhe dëshmitarët që t’i raportojnë abuzimet e kishës pranoi 6.500 thirrje vetëm gjatë 17 muajve të parë të punës.

“Pyetja e madhe për ne është sa viktima janë paraqitur? A janë 25 për qind? 10 për qind, 5 për qind apo më pak”, tha Sauve.

Komisioni hetimor përbëhet nga 20 figura nga fusha ligjore, akademike dhe mjekësore. Fillimisht pritej që komisioni ta dorëzonte raportin përfundimtar në fund të vitit të kaluar, por u caktua një afat i ri për këtë për shtator të këtij viti.

Dyshimet për abuzime nga ana e priftërinjve dhe figurave të larta katolike kanë çuar në dhurimin e dëmshpërblimeve dhe ndjekjeve penale në vende të ndryshme të botës.

Të ngjashme