Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, të premten ka diskutuar rreth angazhimit të ekspertëve, raporton Ekonomia Online.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se janë 9 aplikime.
“Ju e dini që e kemi pasur në webfqen e Kuvendit si konkurs i brendshëm për aplikimin e kandidatëve të interesuar për ekspertë, ne i kemi marrë listat pasi është kryer afati i aplikimit gjithsej i kemi nëntë aplikime”, tha Dreshaj.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se në bazë të nevojave i sheh tre ekspertë, në fushën e ekonomisë, një ekspert në auditim dhr një për financa dhe pastaj gjithësecili të ofrojë një ekspertizë me eksperiencën e tij profesionale.
“Sa i përket çështjeve legjislative të kemi një ekspert prej tre ekspertëve që ne i kërkojmë pastaj një gjithpërfshirje të ofrojë një ekspertizë dhe të vendosim pastaj cili prej atyre me eksperiencën më të mirë vendoset edhe për çështje ekonomike dhe të auditimit”, tha Haxhiu.
Ndërsa, deputeti nga pushteti, Armend Muja, tha se versioni ishte i shkurtër, duhet me i vlerësuar kush i ka plotësuar kushtet dhe me i paraqit pastaj.
“Unë e mora materialin pardje, ishte vetëm në versionin e shkurtër kam pa një pjesë të CV, por jo të gjitha sipas rregullit në të kaluarën ne kemi bërë një grup më të ngushtë prej tre vetave për plotësim të kritereve dhe pastaj ata i kanë propozuar komisionit për votim por si fillim duhet me pa se ai plotësojnë kriteret, dhe në mbledhjen e radhës duhet të shikohen kush i plotëson kriteret”, tha Muja.
Derisa, deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, deklaroi se dokumentacioni është i kompletuar.
Ndryshe, Komisioni vendosi që të premten të mbahet mbledhja e radhës për të propozuar emrat e tre ekspertëve.