Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve arsimore u ka dhënë afat shtesë 5 ditësh DKA-ve për kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga ky komision, në të kundërtën do ndiqen rrugë penale, raporton Ekonomia Online.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e radhës të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/24, në të cilën anëtarët kanë përzgjedhur tre ekspertë, nga fusha të ndryshme.
Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se 5 ditë afat shtesë iu është dhënë Drejtorive Komunale të Arsimit për kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimin e teksteve arsimore, e në të kundërtën ata do të ndiqen penalisht.
“Krejt ato pyetje janë të formuluara nga ana e deputetëve. Ato pyteje janë të shkruara në formë Hard Copy. Të gjithat i kam verifikuar, i kam nënshkruar dhe kërkesa është 10 ditore për me u dërgu komplet informacionet të cilat komisioni i ka kërkuar. Realisht pse ata kanë dhënë përgjigje të tilla, atëherë është vërejtje për DKA-të e nuk është vërejtje për administratën. Ne do të kërkojmë për edhe një afat shtesë për në afat prej 5 ditëve, për ata të cilët nuk kanë reflektu deri më sot dhe nëse edhe pas 5 ditësh nuk kemi, atëherë ne do të fillojmë rrugën ligjore penale të ndjekjes për ata të cilët nuk i përgjigjen kërkesave të Komisionit Hetimor, për secilin veç e veç”, ka theksuar ai.
Ndërkaq lidhur me procesin e mëtutjeshëm, anëtarët e këtij komisioni thanë se duhet vazhduar me propozimet tjera.
Deputetja nga radhët e LVV-së, Majlinda Tishukaj ka thënë se deri më tani përgjigje kanë kthyer vetëm disa komuna, siç janë: Mitrovica, Prishtina, Istogu, Novobërda, Ferizaji e Gjakova.
“Megjithatë edhe informacionet që janë duke na i dhënë përpos Istogut të cilat i kanë dhënë informacionet për 5 vite, ne si grup i Vetëvendosjes kemi kërkuar që nga 2008-ta. Tash o pyetja nuk është shtruar në rregull, ose e kanë keqkuptuar. Ndoshta duhet me specifiku edhe kohën edhe një herë. Përgjigjet që janë dhënë sidomos, Ferizaji edhe Prizreni ia kanë huq totalisht. Ata iu kanë referuar vitit shkollor 2024-2025 dhe e kanë paraqit si sfidë që nuk ka komunikuar MASHT-i e që nuk është pjesë hetimore. Po besoj që ditëve në vazhdim nëse ne i kemi propozimet, do t’i dërgojmë nëpërmjet emailit. Kështu që ta kemi një dakrodim të plot. Pasi që jemi 2 e 3 mungojnë, kështu që do të ishte mirë që të na jepni pak kohë”, ka thënë ajo.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka theksuar se është kërkuar informacion për furnizimin me tekste shkollore ndërvite, përfshirë këtu edhe vitin shkollor 2023-2024 se kur janë furnizuar nxënësit me tekste shkollore.
“Edhe për vitet paraprake se ka qenë ky furnizim. Duhet me pas të dhëna të sakta e jo, një prej përgjigjeve: se nxënësit nuk kanë pasur tekste shkollore, e ne pastaj kemi kërkuar prej një shkolle në shkollën tjetër. Ne nuk po kërkojmë aspektet menaxheriale të drejtorëve të DKA-ve nëpër komuna, por po na intereson sa kanë qenë propozimet e tyre për tekstet shkollore, sa tekste i kanë marrë, sa nxënës i kanë marrë dhe kur i kanë marrë. A i kanë marrë para 1 shtatorit, apo pas 1 shtatorit apo me 30 dhjetor. Na duhet lista e përfituesve të atyre që janë subvencionu sepse është çështje e rëndësishme për procesin hetimor të dihet saktë se kur dhe sa mjete buxhetore janë shpenzuar specifikisht për çdo familje sepse ka pas familje që iu ka pas 3 nxënës e janë subvencinu vetëm për një”, ka theksuar ai
Agim Veliu, deputet i LDK-së, ka kërkur afat shtesë.
“Disa komuna i paskan sjellë me i shikuar a janë në rregull në bazë të kërkesave që ne i kemi bë. Disa komuna nuk i kanë sjellë. Është mirë me iu dhënë edhe një afat, meqë ka qenë një far konfuzioni, dikush ka kërkuar e dikush pastaj ka thënë nuk keni nevojë me i sjellë. Është mirë edhe një herë me përsërit kërkesën se ata mund të jenë të hutuar apo nuk e kanë të qartë gjithë situatën”, tha ai.
Në këtë Komisioni Hetimor Parlamentar, përzgjodhi tre ekspert prej 9 sa kanë aplikuar. Fikret Ibrahimi, Bashkim Mustafa dhe Hilmi Jashari, që të tre të fushave të ndryshme të cilët do të hetojnë procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.