Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2020, pa prezencën e ministres Donika Gërvalla, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, tha se disa herë ka ftuar ministren por për shkak të agjendës nuk ka mundur të vijë.
“Si komision kemi vendosur ta shqyrtojmë këtë raport. Kemi një raport të rëndësishëm që duhet të trajtohet në seancë plenarë”.
“Kemi pasaktësi te regjistrimi i pasurive dhe shpenzime të buxhetit. Një prej arsyeve është edhe prezenca e përfaqësueses të Zyrës së Auditimit dhe nuk i kemi në seancë”.
Deputeti i VV-së, Enver Haliti, tha se nuk ka kuptim të diskutohet raporti pa prezencën e zyrtarëve të MPJD-së.
“Natyra e mbledhjes së komisionit është përballja me udhëheqësit. Derisa nuk kemi asnjë përfaqësues të institucionit i bie të bisedojmë mes vete. Do ta dërgojmë në seancë plenare. Numri i të gjeturave është jashtëzakonisht i madh. Regjistrimi pasurive në vlerën 1000 euro është i pasigurt sepse aty mund të bëhen ndryshime”.
Ndërsa, Mirlinda Sadiku nga VV-ja, duke e arsyetuar mungesën e ministres Gërvalla, tha se disa nga rekomandimet e auditorin janë zbatuar.
“Është fakt që e kemi ftuar katër herë por duke marrë parasysh që e udhëheqë politikën e Jashtme nganjëherë është e arsyeshme. Deri në fund të auditimit 10 rekomandime janë zbatua në vitin 2020. Mosregjistrimi i shpenzimeve ka rezultuar të jetë jo i plotë. Shkaqet e mosregjistrimit ishin të ndryshme, mosmenaxhimi. Vlen te theksohet se gjatë testimeve 25 kompjuterë ishin regjistrua në kategorinë e mobileve. Një gjetur tjetër është tejkalim i limiteve bankare. Klasifikim i gabuar i buxhetit”.