Komisioni i Garave i FFK-së reagon për incidentin në Gjilan

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Garave në Federatën e Futbollit të Kosovës ka reaguar për incidentin që ndodhi gjatë ditës së mërkurë në ndeshjen Gjilani – Prishtina.

“Komisioni i Garave vlerëson se ky kampionat është njëri nga më interesantët që nga paslufta, ku si gara për titull ashtu edhe ajo për mbijetesë është masive dhe e paqartë. Një gjë e tillë pa dyshim ka ndikuar edhe në rritjen e rivalitetit dhe të cilësisë së futbollit, por natyrshëm rrit edhe presionin tek klubet dhe tek zyrtarët e ndeshjeve. KG shpreh shqetësimin për ngjarjen e fundit të ndodhur në Gjilan, në ndeshjen Gjilani – Prishtina, që krijon imazh të keq për futbollin tonë”.

” Për këtë ngjarje KG do të diskutojë dhe do t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe materialet zyrtare në mbledhjen e radhës pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 29-të në Ipko Superligë. Me këtë rast apelojmë që klubet të përmbahen nga deklaratat e pamatura dhe veprimet e dhunshme, veçmas nga zyrtarët e klubeve, të cilët në shumë raste po nxisin situata të pakëndshme brenda fushës së gjelbër”.

Ky komision kërkon edhe nga trajnerët që të jenë shembull i mirë dhe ta ruajnë gjakftohtësinë, teksa apelon edhe te gjyqtarët që të bëjnë punën e tyre në mënyrë sa më profesionale dhe të mos bien pre e presioneve apo ndikimeve, transmeton Klan Kosova.

Të ngjashme