Komisioni për Financa i Parlamentit të Serbisë ka miratuar marrëveshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë për njohjen reciproke të çertifikatave të operatorit ekonomik të autorizuar për siguri që u nënshkrua në Tiranë javën e kaluar.
Marrëveshja reciproke “AEO S” pas miratimit në Komision do të shkojë në Kuvendin e Serbisë ku pritet të votohet.
Sipas kësaj marrëveshje dy institucionet doganore të Shqipërisë dhe Serbisë i njohin subjektet ekonomike të njëra-tjetrës si të besueshme dhe partnerë të sigurtë, shkruan KosovoOnline, transmeton Gazeta Express.
Aktualisht në Serbi janë 37 subjekte ekonomike në statusin “AEO S”, dhe marrëveshja me Shqipërinë u mundëson atyre të përdorin privilegjet e fituara nga besimi i doganave me autoritetet doganore të Shqipërisë.
Në sajë të reciprocitetit, subjektet ekonomike nga Shqipëria do të mund të shfrytëzojnë përfitimet në atë status në procedurën para autoriteteve doganore serbe.