Komisioni këshillimor i FDA-së hap dritën jeshile për vaksinën Pfizer për fëmijët

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i pavarur këshillimor i Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave miratoi dhënien e vaksinës Pfizer-BioNTech për Covid-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç.

Rastet e rënda ose vdekjet nga Covid-19 janë të rralla mes fëmijëve më të vegjël, por shefi i vaksinave i FDA-së, dr. Peter Marks i tha panelit të martën se 1.9 milionë fëmijë të grupmoshës 5 deri në 11 vjeç kanë rezultuar pozitivë dhe 8,300 janë shtruar në spital në Shtetet e Bashkuara. Nga ata që u shtruan në spital, një e treta kishte pasur nevojë për kujdes intensiv dhe afro 100 vdiqën.

Zyrtarët thanë se shpresojnë që miratimi i vaksinës për fëmijët, dozat e së cilës do të jenë sa një e treta e atyre për të rritur, të ndihmojë në mbylljen e një hendeku të gjerë në fushatën e vaksinave në SHBA që ka shqetësuar prindërit, mësuesit dhe drejtuesit e shëndetit publik.

Rregullatorët thanë se vaksinimi mund të fillojë javën e ardhshme.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se ka siguruar vaksina të mjaftueshme për 28 milionë fëmijët në Shtetet e Bashkuara.

FDA do ta marrë vendimin e saj në ditët e ardhshme.

Në varësi të miratimit nga FDA, komisioni i pavarur këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) pritet ta shqyrtojë propozimin javën e ardhshme, raporton abcnews.

Ndërkohë kompania farmaceutike me bazë në SHBA Moderna tha se një provë klinike tregoi se një dozë e përgjysmuar e vaksinës së saj për Covid-19 ishte e sigurt për fëmijët e moshës 6 deri në 11 vjeç./VOA

Të ngjashme