Komisioni miraton raportet e ZRrE-së dhe ARKEP-it për vitin 2018

Prishtinë | 16 Kor 2019 | 12:46 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka miratuar Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2018 dhe Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për vitin 2018, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, tha se viti 2018 për ARKEP-in ka pasur rritje pozitive të zhvillimit të komunikimeve elektronike dhe postare nga rritja e vëllimit trafik dhe investimet në sektore.

“Të hyrat e përgjithshme të ARKEP për vitin 2018 kanë shënuar rritje prej 4% dhe ky është viti i dytë me radhë që kemi rritje dhe me ofrimin e çmimeve konkurrente në segmentin e tregut. Viti 2018 është viti i parë që nga të hyrat e telefonisë mobile ka një rritje kaq të madhe. Në këtë vit është rritur edhe numri i operatorëve, me 13 operatorë shtesë e me 25 aktivitete telefonike”, shtoi Gashi.

Gashi tha se Auditori i Përgjithshëm për ARKEP-in nuk ka asnjë gjetje.

“ARKEP-i ka kryer të gjitha detyrimet shtetërore në raport me operatorët, implementimi i kodit shtetëror +383 nuk ishte përmbyll në kohën raportuese dhe ne kemi gjobitur operatorët që nuk e kanë përfunduar këtë proces të implementimit të kodit +383”, tha ai.

Ai tha se ky institucion ka stafin me numrin më të vogël në krahasim me vendet e rajonit dhe sipas tij kjo mungesë e stafit po e pengon punën e ARKEP-it.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se situata në ARKEP nuk është ashtu siç po paraqitet në raportin e ARKEP-it.

“Në këtë sektor ka probleme, po të lexohet raporti mendon se je në Zvicër, operatorët e rëndësishëm duan të ikin nga Kosova dhe asnjë operatorë me rëndësi nuk ka paraqitur interes të vjen në Kosovë këto vitet e fundit, ndërsa operatorët që kanë interes të vijnë janë kompani mbulesë që brenda janë korporata tjera nga Serbia e Rusia që duan të hyjnë në tregun e Kosovës ndërsa Telekomi është në bankrotim për shkak të kontratave të qëllimshme”, tha Konjufca.

Gashi tha se ARKEP-i me ligj nuk ka të drejtë të ndërhyje në menaxhimin e operatorëve.

“Nuk ka asnjë të drejtë rregullatori të përfshihet në çështje menaxheriale të operatorëve. Monopolet krijojnë të hyrat, por edhe probleme, gjatë mandatit tim asnjë kërkesë të Telekomit nuk e kemi refuzu përveç njërës me ndal Viber-in. Për gjendjen e Telekomit jemi të gjithë të brengosur, por kjo nuk e tregon pasqyrën e tregut të komunikimeve elektronike. Telekomi duhet të gjej zgjidhje nuk është problematikë edhe aq e madhe, ne nuk mundemi me ndërhy në operime”, tha Gashi, raporton EO.

Rrezarta Ajeti nga departamenti ligjor në ARKEP, tha se në Kosovë përmes ligjit ka të drejtë çdokush të ofroj shërbime.

“Hyrësit e rinj në treg me ndryshim të ligjit të komunikimeve elektronike është liberalizuar përfundimisht, tregu me autorizim të përgjithshëm çdo kush mundet me ofru shërbime”.

Gashi tha se Telekomi nuk po e zbaton plotësisht kodin +383 dhe me këtë po dëmtohet buxheti i Kosovës.

“Situata nuk qëndron mirë në Telekomin sepse Telekomi e ka bërë ndërrimin e kodit +383 vetëm në mënyrë virtuale dhe në esencë nuk ka bërë ndryshime të nevojshme në centrale të tyre dhe ende mundemi me pranu apo me dërgu thirrje me kodin +377 në Roaming, jemi të informuar se Telekomi nuk ka bërë ndryshme në centrale për zbatimin e plotë të kodit +383. Me moszbatim të kodit humb Telekomi sepse ata shfrytëzojnë një kod të huaj është kontratë komerciale dhe ky është dëm që i shkakton Kosovës dhe vetë qytetarëve të saj”, tha Gashi.

Të ngjashme