Komisioni nuk i kalon pasqyrat financiare të ShSKUK-së, mungon edhe ministri i Shëndetësisë

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 14:32 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e radhës ishte planifikuar të shqyrtohet Raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Shëndetësisë, për vitin 2016, si dhe Raporti i performancës për Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor.

Mirëpo, këto raporte nuk u shqyrtuan për shkak të mosprezencës së ministrit të Shëndetësisë në këtë takim, raporton Ekonomia Online.

Tutje, Komisioni gjatë kësaj mbledhje ka shqyrtuar Raportin e auditimit për PVF-të e SHSKUK-së, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016. Pas shqyrtimit u vendos që raporti të mos adresohet për seancë plenare, por në mbledhjen e radhës së komisionit të nxirren vetëm rekomandimet për Bordin dhe Drejtorin e ShSKUK-së.

Anëtar i komisionit nga PDK, Mergim Lushtaku, tha se raporti i auditimit përmban shkelje në brendi sepse sipas tij shpenzimet në vlerë 1 milionë euro për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore janë paguar gabimisht.

“Unë kam shqyrtu këtë raport të auditimit dhe jam fokusuar në pasqyrat financiare në qeverisjen dhe menaxhmentin financiar të kontrollit. Ndër çështjet e rëndësishme e kam pa janë shpenzimet me vlerë mbi 1 milionë për mirëmbajtjen dhe servisimin e pajisjeve mjekësore, ishin paguar dhe buxhetuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale”, ka thënë Lushtaku.

Raportet e auditimit të ShSKUK-së nuk do duhej të lexoheshin sepse përvoja personale vë në pah mangësitë në veçanti të barnave, kështu theksoi anëtarja e komisionit nga LVV-ja, Shqipe Pantina.

“Nuk ka nevojë me lexu raporte sepse secili prej nesh ose ka përvoja personale ose për shkak të anëtarëve të familjeve. E kemi provu mungesën e shërbimeve në qendrat klinike. Pika 6.6 sa i përket menaxhimit të barnave dhe që është problem se secili që ka pas nevojë për shërbime atu e ka përjetu mungesën e barnave. Barnat që gjenden në barnat e juaja avullohen dikund, a keni një sistem me kontrollu këtë, ku është keqpërdorimi”, ka thënë Pantina.

Myzafer Gashi, nga ShSKUK-ja iu drejtua Pantinës duke i thënë se barnat që vijnë në Barnatoren Qendrore të QKUK-së i dërgohet njoftim të gjithë drejtorëve të klinikave.

“Sa i përket asaj se me cilat barna furnizohet barnatorja qendrore e QKUK-së, është praktikë që të gjitha barnat që hyjnë brenda ditës në Barnatorën Qendrore prej Ministrisë së Shëndetësisë apo prej donatorëve që vijnë, njoftohen të gjthë drejtorët e klinikave për barnat për të cilat është furnizu Barnatorja Qendrore”, theksoi Gashi.

Avdullah Hoti, nga LDK-ja, tha se nëse ka keqpërdorime brenda institucioneve shëndetësore organet përgjegjëse do duhet të shkojnë mbrapa për të gjetur përgjegjësin.

Shqetësim për të janë të gjeturat ku ka evidenca për keqpërdorim.

“Nëse ka keqpërdorime organet përkatëse duhe me shku prapa edhe me gjet përgjegjësin, qëllimi jonë si komision është të sigurohemi që legjislacioni që është në fuqi ti mbajë përgjegjës institucionet përkatëse dhe për më tepër të ju kërkojmë atyre që te auditori i jashtëm të paraqesin një plan pune, hapa konkretë se si do ti adresojnë ato. Për mua shqetësim janë disa të gjetura që ka evidencë për keqpërdorim”, ka theksuar Hoti.

Krejtësisht në fund, në çështje të ndryshme u diskutua lidhur me punëtorinë për shqyrtimin e Projektligjit për Kontrollin e Brendshëm Financiar që pritet të mbahet javën e ardhshme, si dhe rreth pjesëmarrjes në Konferencën rajonale të parlamenteve të shteteve të Evropës Juglindore, që do të financohet nga Parlamenti Evropian.

Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Driton Selmanaj dhe Andin Hoti nga ky komision.

Të ngjashme