Komisioni Parlamentar diskuton për dezinformimin dhe pronësinë e medieve

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e së martës ka vazhduar diskutimin për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ku u diskutua përkufizimi i dezinformimit dhe për koncentrimin medial.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehemeti tha se edhe opinioni i Këshillit të Evropës, paraqet rrezikun e definimit të dezinformimit dhe keqinformimit.

“Aty opinioni ligjor paraqet edhe rrezikun e definicionit të dezinformimit dhe keqinformimit në legjislaturat vendore sepse thotë se është ende një term i paqartë, mund të jetë me shumë kuptimësi, në kuptimin që mund të cenojë edhe lirinë e shprehjes nëse vendoset në disa ligje, si referencë përmend edhe rezolutën e Parlamentit ku fton disa akterë të qasen bashkërisht, përmes edukimit medial të qytetarëve, të vet përforcimit të mediave”, tha ai.

Mehmeti shtoi se edhe ashtu, neni 41 flet për parimet themelore të ofruesve të kompanive mediale, ku paragrafi 4 thotë “ofruesit e shërbimeve mediale sigurojnë informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet duke respektuar formimin e lirë të opinionit”.

Ai propozoi që kjo mund të përforcohet me dy paragrafë, të cilët ata i kanë formuluar si “ofruesit e shërbimeve mediale nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë që është i pavërtetë ose mashtrues”.

Si dhe paragrafin “ofruesit e shërbimeve mediale si dhe platformat për shpërndarjen e videove promovojnë zhvillimin e edukimit medial në të gjithë segmentet e shoqërisë të qytetarët e të gjitha moshave”, tha ai.

Kryesuesi i Komisionit, Valon Ramadani tha se duhet që me amendament ta fusin në ligj që për dezinformimit të nxjerret një rregullore.


Në anën tjetër, Mehmeti tha ekziston Kodi i Etikës ku flitet për lajmin e pasaktë, jo të balancuar, andaj mund të propozohet që në Kod të shpjegohet më gjerësisht.

Sa i përket transparencës së pronësisë së mediave, u tha se duhet të përfshihen standarde minimale të pronësisë se mediave dhe një definicion i koncentrimit të mediave.

“Definicioni i cili tashmë e kemi në rregullore thotë se nënkupton një situatë kur një numër i vogël individësh, persona juridikë ose kompani kontrollojnë aksionet në disa ofrues të shërbimeve mediale dhe kanë kontroll efektiv gjë që mund të çojë në një ndikim negativ në nivelin e pluralitetit të zërave dhe opinioneve në dispozicion dhe për këtë arsye pluralizmi dhe diversiteti mediatik nuk sigurohet”, tha Mehmeti.

Ndërsa, tha se “pluralizmi mediatik përcakton gjendjen për të pasur një sërë zërash, opinionesh, analizave mbi sistemin mediatik ose bashkëjetesa e llojeve të ndryshme të larmishme të mediave dhe mbështetjes mediatike”.

Ai tha se ata mund të ofrojnë këto dy definicione konform Këshillit të Evropës, por tha që nuk mund të propozojnë sot standarde minimale sa i përket pronësisë së mediave.

Mehmeti tha se që 5 muaj kanë miratuar rregulloren për koncentrim medial, e cila është hartuar me ndihmën e ekspertëve Bashkimit Evropian, dhe nuk ka çfarë të shtojë më shumë se ajo që përcakton rregullorja.

Mbledhja do të vazhdojë të enjten, ku pritet që të votohen amendamentet për ndryshimet në Projektligjin për KPM-në. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme