Komisioni parlamentar hetimor dorëzon dosje për MPJD-në në Speciale

Prishtinë | 15 Nën 2024 | 11:23 | Nga Diellza Gashi

Anëtarët e Komisionit parlamentar hetimor për menaxhimin e marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë dorëzuar dosje për hetim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Deputetja Time Kadrijaj tha se qëllimi është zbardhja e së vërtetës se çfarë ka ndodh me procesin e zgjedhjes së stafit nëpër ambasada.

Kadrijaj tha se deri në formimin e këtij komisioni hetimor nuk është arritur që të zbardhet e vërteta. Prandaj, ajo tha se për shkak të pengesave që kanë pasur nga mazhoranca bashkërisht ky komision  dorëzojë sot dosje në Prokurorinë Speciale.

“Nuk kemi arritur të ftojmë dëshmitaret sepse ka qenë tendenca e devijimit të këtij procesi duke dashur që kjo periudhë e hetimit të fillojë në vitet e mëpasme edhe që kërkesa e bërë për hetim parlamentar ka qenë specifike në vitin 2021-2023. Deri në formimin e këtij komisioni hetimor nuk kemi arritur që të zbardhim të vërtetën andaj për shkak të pengesave që i kemi pasur nga mazhoranca ne sot bashkërisht dorëzuam dosje në Prokurorinë Speciale”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj tha se shkeljet sidomos janë te zgjedhja e ambasadorëve.

Kurse Ariana Musliu-Shoshi nga PDK-ja tha se shpreson që meritokracia do të kthehet në MPJD.

Musliu-Shoshi tha se është shkel ligji për zyrtarët publik dhe rregullorja përkatëse.

“ Sekretari permanent i kësaj ministrie ka marrë vendime të paligjshme të njëpasnjëshme. Me dinjitetin që i është humb stafit tonë diplomatik dhe për shumë vendime që nuk kanë qenë të marra në bazë të meritokracisë kemi parasysh që të ketë një investigim që kur ka ardhur kjo strukturë në pushtet”, tha Musliu-Shoshi .

Të ngjashme