Komisioni Parlamentar ia kthen Prishtinës raportin me shkelje të mëdha në “Stacionin e Autobusëve”

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 12:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike e ka dërguar në Kuvendin Komunal të Prishtinës raportin e auditimit për pasqyrat vjetore të ndërmarrjes “Stacionin e Autobusëve”.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, ka thënë se kjo po ndodh për shkak të shkeljeve të mëdha që ka gjetur auditori.

“Rekomandimi i parë është që Stacioni i Autobusëve në afat prej tre muajve pranë Kuvendit të Kosovës për nivelin e implementimit të rekomandimeve që dalin nga raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare për vitin 2017 në përgjithësi, dhe në veçanti të marrë masat e nevojshme për të përmirësuar të gjitha çështjet që kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit”.

Komisioni po ashtu i rekomandoi Komunës së Prishtinës që të ushtrojë mbikëqyrje më të madhe mbi këtë ndërmarrje për shkak se ajo ka marrë vendim që t’u japë mëditje të mëdha drejtuesve, përderisa ka operuar me humbje të mëdha.

“Pika e dytë është Kuvendi i Kosovës rekomandon Komunën e Prishtinës se është pronari i vetëm i ndërmarrjes publike lokale “Stacioni i Autobusëve” që të ushtrojë një mbikëqyrje më efektive për të siguruar që kjo ndërmarrje qeveriset në mënyrë efektive dhe efikase, me theks të veçantë Komuna e Prishtinës duhet t’i ndalojë praktikat joadekuate të kësaj ndërmarrjeje që në vitet kur ndërmarrja ka vështirësi financiare, si ai i vitit 2016, bordi i drejtorëve i shpërndan për vete 50% të vlerës së honorarëve vjetore si stimulin për efektshmëri duke vështirësuar edhe më tutje gjendjen e ndërmarrjes”, tha Selmanaj.

Sipas anëtarit të Komisionit, Andin Hoti, mjafton që Komisioni të kërkojë fillimisht një raport 3-mujor dhe pastaj, nëse nuk ka ndryshime pozitive, të dërgohet në seancë.

Mendoj qe mjafton se komisioni të kërkojë një raport prej 3 muajsh dhe ta pranojmë atë raport brenda 3 muajsh dhe nëse nuk ka ndryshime pozitive, atëherë ta çojmë në seancë”.

Komisioni ka diskutuar se ku po shkojnë fondet e granteve për subvencione të tri ministrive: Bujqësisë, Zhvillimit Rajonal dhe asaj për Komunitete dhe Kthim.

Deputetja boshnjake, Emilia Rexhepi ka thënë se ka informata dhe fakte se të gjitha fondet po shkojnë për komunitetin serb, veçmas atij në Shtërpcë.

Avdullah Hoti sugjeroi formimin e një komisioni për t’u marrë me këtë çështje, ose ministrat e këtyre ministrive të ftohen për raportim në Komision.

“Unë sugjeroj që pa asnjë paragjykim ne si Komision për Mbikëqyrje të Financave Publike ose mund ta bëjmë një komision 3-4 deputetë të partive të ndryshme, ose mund t’i ftojmë ministrat përkatës në një raportim apo bisedë këtu në komision, ose mund të kërkojmë fillimisht raport me shkrim, mandej t’i ftojmë ata, në tri ministritë: Ministrinë për Zhvillim Rajonal, në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe Ministrinë e Bujqësisë”.

Driton Selmanaj tha se mund të kërkojnë që Zyra Kombëtare e Auditimit ta auditojë nga viti i ardhshëm çështjen e shpërndarje së granteve.

“Mund të kërkojmë që Zyra Kombëtare e Auditimit në planin për vitin e ardhshëm ta auditojë çështjen e shpërndarjes së granteve. Paralelisht nuk na pengon neve që ne të vazhdojmë me metoda të tjera të thërrasim në raportim individualisht edhe ministrat e caktum”.

 

Të ngjashme