Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha prezantimi i Projektligjit për ndryshimin e ligjeve të pagës minimale dhe shkallës tatimore nga të ardhurat pensionale, i hapë rrugë dërgimit në Qeveri të pagës minimale në vlerë prej 264 euro, raporton Ekonomia Online.
Ai në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka thënë se rritja e pagës minimale nga 130 euro në 300 apo 400 euro është e pamundur dhe se kërkohet koordinim edhe me sektorin privat.
“Projektligji në fjalë ka për qëllim të ndryshojë dhe plotësojë ligjet në pagën minimale. Paga minimale është instrument i tregut të punës. Prandaj synohet të eliminohen pasiguritë rreth pagës minimale. Shpenzimet janë të natyrës së rregullimit social. Ky projektligj rregullon edhe shkallën tatimore. Ky projektligj rregullon propozimin për rritjen e pagës minimale. Kjo bëhet që paga minimale të mos bëhen peng i marrëveshjeve në këshillin social. Miratimi i tij hapë rrugë të dërgojmë në qeveri në vlerën prej 264 euro pagën minimale”.
“Ideja është të rritet punësimi. Me shku prej 130 deri në 300 e 400 është e pamundshme sepse duhet koordinim edhe me punëdhënës sepse janë sektor privat. Nuk mund të lihen peng sektori privat. Synimi është që këta punëtorë me pagë minimale të mbështeten. Nuk po i largon askush nga skema. Qeveri Kurti 2 është qeveria e vetme që ka mbështetur pensionistët dhe veteranët. Asnjëherë më parë nuk ka pasur mbështetje shtesë. Synimi si qeveri është të rrisim pagën minimale. E vetmja arsye është se po bëhet për inate politike. Ne për herë të parë do të ndikojmë të ketë rritje edhe sektorin privat”, tha Murati.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Këshillin Ekonomik Social.
Lushtaku tha se në këtë pagë nuk janë përfshirë tri kategori të rëndësishme të shoqërisë tonë, të verbrit, personat paraplegjikë dhe veteranët e luftës së UÇK-së.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se ky Projektligj nuk do ta ketë mbështetjen e kësaj partie.
“Nuk do të keni mbështetjen tonë si parti opozitare për pagë minimale. Juve kur doni e anashkaloni një ligj të caktuar dhe pasojat janë te qytetarët”.
Për këtë ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këto kategori do të qëndrojnë të pandryshuara në paga.
Gjatë arsyetimit të këtij projektligji, Murati tha se ideja e rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto është që të sigurohet një minimum i pagës dhe të rritet punësimi për të rinjtë.
“Askush nuk po i largon këto kategori nga pagat, por është qeveria e parë që ka ndarë mjete shtesë të njëhershme për këto kategori, edhe për veteranët”, tha ai.
Edhe deputeti Avdullah Hoti nga LDK-ja pati kritika se ky projektligj është bërë në mënyrë të anshme dhe pa dakordim me Këshillin Ekonomik Social.
“Ne kemi qenë qeveria e parë kur kemi nis me ndarë pensione për veteranët. Por, qysh me te marrë seriozisht ministër, për politikën fiskale, ku të çon kjo përveç në varfëri”, tha Hoti.
“Ky është ligj kompleks. Këto përfitime te veteranëve nuk janë shpërblim por burim i të ardhurave. Ata nuk e kanë bërë luftën për t’u shpërblye. Por e ka pasur burim të ardhurave. Ligjin për këshillin ekonomik është i definuar. Nuk keni baze ligjore. Nuk keni diskrediton ligjor. Ju mundeni me pas mospajtime me sindikatat. Çështja e politikave fiskale, ndryshimet tatimore”, tha tutje Hoti.
Në fund, me shumicë votash, Komisioni miratoi në parim rishikimin e buxhetit për vitin 2022 dhe Projektligjin për pagën minimale.