Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, Projektligjin për harmonizimin e ligjeve të veçanta për kundërvajtje si dhe Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, tha se në mungesë të bazës ligjore është paraqitur nevoja për krijimin e ligjeve të veçanta.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Komisionit, Driton Selmanaj tha se këtë ligj nuk është duke e kuptuar as nga emri dhe as nga përmbajtja.
“S’po e kuptoj këtë ligj as nga emri po edhe përmbajtja. Kam pas interes të dëgjojë dikë nga qeveria se cili është rëndësia e këtij ligji”, tha ai.
Selmanaj tha se kjo është metodë e mbrapsht dhe sipas tij që nga viti 2002 ekzistojnë tri udhëzime.
“Është metodë e mbrapsht nuk duhet të jetë kështu. Tri udhëzime ekzistojnë që nga viti 2002 po doni me arsyetu në njëfarë forme udhëzimet administrative”, shtoi Selmanaj.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se këto ligje prekin sektorë dhe kjo qasje është e gabueshme.
“Problemi është me e mbajt me një ligj të vetëm po ju japim mundësi që me akte nënligjore me e prekë bazën nënligjore të një ministrie. Të gjitha këto ligje prekin në sektor i japin të drejtën ministrit për një rregullore të brendshme që është ndesh me ligjin por që akomodohen përmes aktit nënligjor. Kjo qasje është e gabueshme e dëmshme jemi duke leju praktika të gabueshme, është dobësim devalvim i administratës dhe jam kundër”, tha Tahiri.
Ndërsa, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa tha se do kenë probleme në implementim e këtij ligji, dhe si parti nuk e përkrahin këtë ligj. Beqa shtoi se ky ligj duhet me u kthy prapa.
“Nuk ka të bëjë vetëm me metodologjinë por edhe me përmbajtjen, kemi me pas problem në implementim të kësaj situatë, nuk krahasohet ky ligj me kundërvajtje kemi bë me kundërvajtje dhjetëra ligje vitin e kaluar, është jo serioze të diskutojmë për një materie që as ne nuk kemi informacion. Si PDK nuk e përkrahim duhet me u kthy ligji prapa ose qeveria me tregu se çka ka dasht me thënë”, tha Beqa.