Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në mbledhjen e radhës ka miratuar planin e punës, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e sotme komisioni ka iniciuar procedurat lidhur me Auditimin e Raporteve Vjetore Financiare dhe Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës, së subjekteve politike, për vitet 2018, 2019 dhe 2020.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se në agjendën e punës do ta kenë edhe shqyrtimin e raporteve të dhjetë komunave më të mëdha.
“Kam pasur tentime të kuvendit që të iniciohen procedura të tilla por që nuk kam pasur auditor të interesuar”.
“Ne kryesisht merremi me shqyrtimin e raporteve të auditorit Zyra Kombëtare e Auditimit e kishte praktikë që të përgatit një përmbledhje dhe këto do të kombinohen dhe do ti shqyrtojmë më lehtë”.
“Rekomandim i auditorit ishte që të fillojmë me shqyrtimin e raporteve të performancës, raport tjetër është qeverisja dhe menaxhimi informacioneve. Ne nuk mund t’i obligojmë kryetarët e komunave që të jenë prezentë, por ne mund t’i shqyrtojmë raportet e dhjetë komunave që e kanë buxhetin më të madh”.
Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani ka mbështetur kërkesën e kryetares Bajrami, raporton EO.
“Mbështes kërkesën që të fillohet me raportet e performancës të cilat i kemi të gatshme nga java e ardhshme”.
Kurse deputeti i PDK-së, Hajdar Beq tha se është mirë të fokusohen te komunat ku ka të gjetura nga Auditori.
“Është një plan i punës që është për tu përgëzuar, sa i përket komunave unë mendoj që ta kemi një autorizim edhe me Auditorin e përgjithshëm dhe me diskutuar me të se cilat janë të gjeturat e Auditorit”.