Në komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është diskutuar për rastet e helmimit të banorëve në komunën e Kaçanikut dhe asaj të Hanit të Elezit, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku, tha do të ishte mirë që si komision t’i vizitojnë këto komuna për të parë masat e ndërmarra.
“Mendoj që ne si komision të aranzhojmë një vizitë në Kaçanik dhe Han të Elezit dhe të shohim masat që janë marrë. Të gjithë kanë marrë trajtim dhe janë në shtëpi. Duhet ta dinë që kemi institucione. Çdo kërkesë që kanë bërë është adresuar, por për çështjen e ujit s’kemi raporte të shkaktarit. Ajo çka na takon neve është aspekti shëndetësor”.
Ndërsa, deputeti i VV-së, Mirsad Shkreta, tha se e kanë obligim që ta ngrisin zërin karshi institucioneve në mënyrë që të merren hapat e duhur.
“Në Kaçanik para pak ditësh ka ndodh një helmim i banorëve në disa zona, që po vjen nga kontaminimi i ujit. Akoma ne vitin 2022 ka ujësjellës që janë lënë nga mos-menaxhimi. E kemi obligim që të ngrisim zërin karshi institucioneve të marrim hapa të duhur. Po konsideroj që të diskutojmë për hapat e mëtutjeshëm dhe të monitorojmë situatën duke komunikuar me ministrin e shëndetësisë. Ministria e shëndetësisë ka reaguar në kohë dhe iu ka hap derën në kërkimin e nevojave që kanë edhe me staf mbështetës që a përballojnë këtë krize”, u shpreh ai.
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, përmendi rastin e Deçanit, ku sipas tij mungesa e infuzioneve është tregues se ky sektor nuk po udhëhiqet mirë, raporton EO.
“E njëjta situatë ka qenë edhe në Deçan dhe ministria nuk ka arritur t’i furnizojë me infuzione. Gjendja në klinikë mund të derivojë nga kjo situatë. Dhe problemi tjetër me ndërprerje të energjisë ka qenë jashtë përdorimit. Mungesa e infuzioneve është tregues më i mirë në menaxhimin e këtij sektori. Instituti duhet të bëjë punën e tyre.
“Pasi sektori i shëndetësisë mbet pa ministër dhe Qeveria nuk ka ministër edhe ty të takon me u përgjigj për krejt problematikat. Ministria e shëndetësisë nuk ka pasur infuzion është dashur me e siguru nga QKUK”, iu drejtua ai Kollçakut.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, shprehi shqetësimet e tij edhe për menaxhimin e rasteve dhe vdekjeve nga Coronavirusi.
“Shqetësimi që ngriti kolegu është i gjithë neve. Nuk mund të fajësojmë investimet sepse arsyet nuk i ka nxjerrë instituti. Dyshimet e drejtoreshës është se uji është kontaminuar. Dhe po bëhen dy javë dhe duhet të shikohet se a janë marrë masat më kohë. Situata me Covid është brengosëse sepse janë shënuar dy viktima sot. Numri i vaksinimeve ka qenë zero. Me këtë nivel të vaksinimi është rrezik për popullatën. Ka pasur strategji sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm”.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se është koha që ministri të japë llogari për këto probleme.
“Situata nuk është e mirë. Kemi marrë këtë post me përkushtim që shëndetësia është prioritet i qeverisë. I patëm helmimet në Deçan, tash në Han të Elezit, vërshimi i onkologjisë. Asnjë veprim mos pranimi i personelit. Vala e re e Covidit në prag. Ligji i pagave askund. 200 mjekë e kanë lëshuar Kosovën. Listat e pritjes janë zero. Këto janë afera në të keq të vendit. Ka ardhur koha që ministri të japë llogari sepse diçka nuk është duke shkuar si duhet. Këtu ka nevojë të identifikojmë problemet dhe të marrim veprimet në të mirë të qytetarëve”.