Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së sot ishin për vizitë, deputetët, anëtarë të Komisionit për Siguri Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga z.Nasip Naço.
Në fillim ata u pritën dhe u shoqëruan nga zv. ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.
Më pas në takim të veçantë, deputetët, të shoqëruar edhe nga kolegët e tyre nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga zv.kryesuesi, deputeti Enver Dugolli, u pritën edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Nga të dyja palët u vlerësua shumë lart bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shkëmbimi i eksperiencave edhe në nivele të tilla, si vlerë e shtuar e marrëdhënieve të ngushta vëllazërore.
Gjithashtu, të gjithë ishin të një qëndrimi se, mbikëqyrja parlamentare është instrumenti i fuqishëm i kontrollit demokratik të forcave të dy vendeve tona, si forca moderne me përcaktim dhe doktrinë me bazë në vlerat e qarta euroatlantike.
Vizita vazhdoi më pas edhe në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u pritën dhe u informuan nga shefi i stafit, gjeneralbrigade Jeton Dreshaj, duke përfunduar me vizitën në Qendrën e FSK-së për Studime Univesitare ” Wesley Clark”.