Komisioni për Siguri s’diskuton për anëtarësim në Interpol, shkak mungesa e materialit

Prishtinë | 22 Qer 2018 | 10:30 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë ka thirrur mbledhje për të diskutuar lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, Interpol.

Por me të nisur mbledhja, komisioni e ka hequr nga rendi i ditës këtë pikë me arsyetimin se nuk ka ndonjë material nga qeveria për të cilin do të diskutonin, raporton Ekonomia Online.

Ky ka qenë propozim i deputetit të PDK-së, Fatmir Xhelilit, i cili u mbështet edhe nga deputetët e tjerë.

“Kjo pikë nuk e ka vendin në komisionin tonë në këtë kohë. Kosova ka aplikuar vitin e kaluar për anëtarësim. Benificonet dhe të mirët e anëtarësimit janë në dimensione të dobishme edhe për ato shtete por edhe për ne. Komisioni ynë edhe Kuvendi i ka dhënë pëlqimin me apliku dhe nuk e di pse ne duhet të diskutojmë. Propozoj mos me qitë në diskutim këtë pikë”.

Rexhep Selimi gjithashtu tha se pasi që nuk ka material për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duhet ta heqin nga rendi i ditës.

“S’kemi ndonjë material që e ka sjellë qeveria e ta diskutojmë. Bashkëpunimi ndërkombëtar policor është i rëndësishëm, por meqë s’kemi material, ta heqim nga rendi i ditës, dhe të diskutojmë kur kemi ndonjë material”.

Muharrem Nitaj tha se duhet të kenë një arsyetim për heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës.

“Jam dakord që ta hedhim në votim, por duhet të ekzistojë një arsyetim pse e heqim apo shtyjmë. Duhet ta nxjerrim një vendim me një justifikim. E mbështesim nismën e qeverisë për anëtarësim në interpol dhe ne heqim dorë nga debati për këtë pikë”.

“Kryesore është që s’po shoh lëndë që të diskutojmë sot. S’kemi çka të diskutojmë, sepse s’kemi ndonjë lëndë të caktuar. Përkrahja e komisionit për anëtarësim ka qenë dhe do të jetë”, shtoi Rexhep Selimi.

Në mbledhje u shqyrtua në parim Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Me këtë rast është formuar grup punues prej 5 anëtarësh për këtë projektligj, kryetar i të cilit u emërua deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili.

Rexhep Selimi nga VV-ja tha se e mbështesin këtë projektligj sepse është shumë i rëndësishëm.

“Ky projektligj është shumë i rëndësishëm. Ajo që mund të bëjë komisoni jo vetëm procedimi i amendamenteve por mund të bëjë më shumë edhe për senzibilimin e institucioneve që bordi i agjencisë të jetë i funksionalizuar. Mbështesim në parim procedimin e këtij projektligji në seancë.

Fatmir Xhelili, nga PDK-ja, tha se ky ligj do t’i mundësojë agjencionit për mbrojtjen e të dhënave personale t’i ushtrojë detyrat e veta, raporton EO.

“Mbështesim edhe ne këtë projektligj. Do të propozojmë të formojmë një grup punues. Me grupin punues dhe me qasjen serioze për plotësim ndryshimin do të japim kontributin tonë dhe do të jetë ligj që do t’i mundësojë agjencionit t’i ushtrojë detyrat e veta”.

Edhe kryetari i komisionit, Haxhi Shala, e vlerësoi të rëndësishëm këtë ligj.

“Sot mund të formojmë një grup, sepse është ligj shumë i rëndësishëm. Grupi punues do të ketë 5 anëtarë të përhershëm. Udhëheqës është Xhelili. Zorani, Rexhepi, Shabani, Aida anëtarë”.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga deputetët të japin më shumë kontribut në grupe punuese.

“E ofroj veten të jem anëtar, ndërsa propozoj që Fatmir Xhelili të jetë kryetar. Meqë është grup punues, meqë është edhe një grup punues, pjesëmarrja e grupeve parlamentare është e mirëseardhur. Jemi përfaqësues të subjekteve politike, kisha kërkuar kontributin e kolegëve. Në përvojat e kaluara kemi pa. Ka grup punues që kanë qenë 7-8 anëtarë e disa me dy anëtarë. Inkurajoj të merrni pjesë në grupe punuese”.

Komisioni formoi edhe një grup punues prej 6 anëtarësh për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Policinë, i cili u tha se do të nisë punën për monitorimin e ligjit nga muaji shtator.

 

Të ngjashme