Përkundër që ishte në rend të ditës, shqyrtimi i peticionit për bashkimin e Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka thënë se në këtë komision nuk ka mbërritur ende peticioni për bashkimin e Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.
Balje tha se kjo çështje do të duhet të vendoset nga Kryesia e Kuvendit apo Qeveria.
“Ne sot nuk e kemi peticionin për Mitrovicën. Kjo është mes Qeverisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Është çështje për kryesinë. Ne jemi komision për peticione, por peticioni për Mitrovicë nuk ka ardhur tek ne”, tha ajo.
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se po luhet me ndjenjat e qytetarëve të Mitrovicës.
Ajo pati kritika karshi institucioneve duke përfshirë edhe kryetarin e partisë së vet që sipas saj po luajnë me ndjenjat e qytetarëve të asaj ane duke mos e marrë seriozisht këtë peticion të nënshkruar nga mbi 16 mijë qytetarë.
Haxhiu tha se ky peticion do të duhej të diskutohej këtu, pra në këtë Komision.
Sipas saj është pikërisht ky “trup parlamemtar” në të cilin do të duhej të sillej ky peticion, por që ende zyrtarisht peticioni për bashkimin e Mitrovicës nuk ka ardhur për shqyrtim.
“Në këtë rast më shumë po luhet me ndjenjat e qytetarëve. Në komisionin tonë është një grup punues që i shqyrton peticionet dhe i kthen në komision. Ne kemi kërkuar, por asnjëherë nuk ka pasur një shkresë që iu ka drejtu këtij komisioni. I kam thënë personalisht kryetarit Bahtiri që nuk e kanë dërgu me shkrim peticionin në komision,” ka deklaruar Haxhiu, raporton EO.
Deputeti i VV-së, Shemsi Syla, tha se këtij grupi parlamentar, i kanë ardhur kopjet e peticionit të Mitrovicës së Jugut.
AAK-ja dhe PDK-ja kanë kritikuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, pse ia ka dërguar peticionin vetëm një grupi parlamentar pra VV-së, e jo të gjitha grupeve parlamentare.
Deputetja, Mexhide Mjaku Topalli, anëtare e komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ky peticion ka marrë rrugë politike.
“Ne kemi kërku që këtë peticion ta sjellim në këtë komision, por ky peticion ka marrë krejtësisht një rrugë tjetër,” është shprehur Topalli në mbledhjen e komisionit.