Komisioni Hetimor për gjendjen në “PTK” dhe “Vala” ka finalizuar listën e dëshmitarëve, ku nga deputetët pati edhe propozime shtesë për dëshmitarë, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri, propozoi që të thirren të gjithë drejtorët e kompanive të kontratave që po hetohen nga ky komision.
“T’i thërrasim drejtorët e kompanive të kontratave që jemi duke i hetuar. Kështu që propozoj që t’ua lëmë kompanive të vendosin se kë do e dërgojnë. Tek sindikatat propozoj që t’i thërrasim vetëm përfaqësuesit e sindikatave aktuale”, tha Ymeri.
Ndërsa, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, propozoi të thirren Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj, si dhe ish-drejtoresha e departamentit të burimeve njerëzore në Telekom.
“Departamenti kundër mashtrimeve në PTK dhe ky departament është shumë, Arsim Gjinovci Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj dhe jam i bindur që këta persona do na japin informacione shumë më shumë. Shqipe Jashari, ish-drejtoreshë e burimeve njerëzore në Telekom, është largu për shkak që i ka frenu proceset negative ndaj Postës”, tha Zeka.
Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, propozoi të thirren dy ish-kryeshefë të Telekomit si dhe drejtori i Burimeve Njerëzore në Telekom.
“Valon Zhuniqi, Mehdin Latifi, Besnik Jani, drejtor i burimeve njerëzore”, tha Zemaj.
Ai shtoi se është për të ardhur keq kur sheh edhe figura publike që kanë marrë para nga PTK si këngëtarë, profesorë, akademikë e këshilltarë ministrash.
“Tek kontratat për sponsorizime ka shifra marramendëse që janë dhanë për individ por edhe për persona juridik, por nëse ka shifra milionëshe dhe nuk janë të regjistruara në ARBK atëherë duhet të kërkojmë informacione shtesë. Është për të ardhur keq kur sheh edhe figura publike, kur e sheh që kanë marrë pare nga PTK si këngëtarë, profesorë, akademikë e këshilltarë ministrash”, tha Zemaj, raporton EO.
Në diskutimin e angazhimit të listës së ekspertëve, komisioni ka vazhduar pa prezencën e medieve.