Komisioni për Zhvillim Ekonomik mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin për miniera dhe minerale

Prishtinë | 28 Mar 2018 | 16:13 | Nga

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Sala Berisha Shala, mbajti sot dëgjim publik për Projektligjin për miniera dhe minerale.

Fillimisht, kryetarja Berisha-Shala tha se qëllimi i dëgjimit publik është të merren opinionet e palëve të ndryshme të interesit dhe shoqërisë civile lidhur me Projektligjin për miniera dhe minerale, iniciuar nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Berisha-Shala tha se ndër çështjet kryesore që rregullohen me këtë projektligj janë: aplikimi në një vend (ONE STOP SHOP), rregullimi i hulumtimit dhe shfrytëzimit të gazit dhe naftës, garancitë bankare për mbylljen e minierës dhe rehabilitimin, thjeshtimi i licencave dhe lejeve, kolizionet e këtij ligji me ligje tjera, kufizimet për ushtrim të aktivitetit minerar, shfrytëzimi zejtar i resurseve minerare, çështjet mjedisore, përgjegjësinë dhe llogaridhënien e bordit të KPMM-së dhe përgjegjësia e institucioneve në parandalimin dhe ndalimin e operimeve ilegale.

Tutje me diskutimet e tyre kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, bizneseve dhe atyre të shoqërisë civile, të pranishëm në këtë dëgjim publik, si: përfaqësuesi i KPMM-së, kryetari i Komunës së Obiliqit dhe ai i Hanit të Elezit, përfaqësi i TREPÇËS, i Odës së Afarizmit, OJQ INDEP etj. Ndër çështjet kryesore që u diskutuan më tepër në këtë dëgjim publik ishin: lehtësimi i procedurave për marrjen e licencave, kufizimet, përkatësisht distancat nga vendbanimet dhe objektet tjera, përfitimet e komunitetit ku zhvillohet miniera, çështjet e shpronësimit, mbrojtja mjedisit, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me sektorin minerar.

Pas një diskutimi të gjerë për këtë çështje, kryetarja e Komisionit kërkoi nga të pranishmit në këtë dëgjim publik, që më së largu deri me datë 2.4.2018 të dërgojnë me shkrim propozime konkrete në Komision, në mënyrë që të kontribuojnë në përmirësimin e legjislacionit minerar.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme