Komisioni për Zhvillim Ekonomik miraton Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Automjetet

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 13:29 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka shqyrtuar tri projektligje: Projektligjin për ratifikimin që themelon Komunitetin e Transportit, Projektligjin për Efiçiencë të energjisë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka paraqitur Projektligjin për ratifikimin që themelon Komunitetin e Transportit, ndërsa është votuar nga komisioni për ta dërguar në lexim të parë në seancë.

“Çështja kryesore është ratifikimi i traktatit të komunitetit të transportit në mes të BE-së dhe shteteve të Evropës Juglindore. Krijimi i një komuniteti të transportit rrugor, ujor, detar në BE dhe në palët Evropës Juglindore”.

“Përmes këtij traktati  synohet të arrihet stabiliteti dhe paqja në rajon. Do ndikojë pozitivisht në zhvillim sa më të shpejt me potenciale ekonomike duke nxitur rritje ekonomike dhe rivitalizimin e mjeteve hekurudhore”.

Shqyrtimi i raportit me amendamente për Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë u prezantua nga kryesuesi i grupit punues të këtij projektligji, Dardan Sejdiu.

“Grupi punues kemi  nxjerrë 39 amendamente që janë bërë në ligj dhe kemi ardhë në këtë projektligj. Ky ligj për bazë e ka marrë fondin për garanci kreditore. Ndihem rehat që këtë projektligj ta votojmë dhe ta procedojmë. Propozoj që të gjitha përnjëherë të votohen. Nuk ka diçka kontestuese”.

Hikmete Bajrami ka shprehur shqetësimin për pavarësinë e ecurisë së ligjit, raporton EO.

“Shpreh shqetësimin që fondi të mos mundet me funksionu si ai për garanci kreditore sepse komplet është i pavarur, prandaj edhe funksion mirë. Ndërsa për ligjin për efiçiencë nuk garantohet pavarësi e tillë. Përgjegjëse për të është MZHE”.

Ajo ka thënë se për këtë arsye, abstenon për këtë amendament.

Dardan Sejdiu tregoi se donatorët janë Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.

“Donatorët janë BE dhe Banka Botërore. Edhe donatorët kryesorë, edhe ekspertët e fushës janë dakord me mënyrën e organizimit të qeverisjes së fondit të këtij projektligji. Kemi ardhë në një situatë ku kemi bërë përmirësime të mjaftueshme”.

Memli Krasniqi ka përsëritur se kjo është e rëndësishme për ta proceduar sa më shpejt për miratim në seancë.

Kryesuesja e këtij komisionit, Sala Berisha Shala, ka thirrur anëtarët e komisionit që të mos bëhen pengesë për procedurë të mëtutjeshme.

“Sigurisht i kemi dilemat tona, por sidoqoftë kërkoj që të votohet. Dilema ime është tek përfaqësuesi i asociacionit të komunave”.

Me abstenimin e dy anëtarëve të komisionit për Zhvillim Ekonomik, Hikmete Bajramit dhe Liburn Aliut, Projektligji për efiçiencë të energjisë është votuar për.

Anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar edhe raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, për të cilin kanë shprehur edhe shqetësime, ndërsa është votuar pro 5 vota, dy kundër, Liburn Aliu dhe Hikmete Bajrami.

Muharrem Nitaj nga grupi punues i këtij projektligji ka prezantuar ndryshimet dhe plotësimet e këtij projektligji.

“Neni 44 ndryshohet, i cili thotë se nuk mund të importohen veturave më të vjetra se 15 vjet, ndërsa te ligji i vjetër ka qenë 10 vjet. Neni 63 ndryshon, ndërrimi i pronarit është i mundur vetëm nëse në të njëjtën kohë regjistrohet edhe pronari i ri i mjetit në evidencë. Ligji bazik ka shkelje të rënda, ku pronarët detyrohen që kur e blejnë veturën, edhe nëse ka regjistrim ai detyrohet që veturën ta regjistrojë nga e para”.

“Amandamenti 89 ndryshohet, kontrolli teknik i automjeteve bëhet brenda Republikës së Kosovës e jo vetëm në komuna përkatëse siç ka qenë. Të hiqet kufiri i kontrolleve teknike në një komunë.  Kufiri prej 15 vjet duke pasë parasysh situatën financiare të qytetarëve do duhej ta bënim një lëshim prej 10-15 vjet, sepse ka qenë edhe kërkesë e qytetarëve”.

Memli Krasniqi ka përmendur dëmet që u ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës ligji i mëhershëm, raporton EO.

“Nëse blehet një veturë, nëse një muaj përpara e ka bërë regjistrimin, pronari i ri është dashtë ta bëjë edhe një herë. Kemi për të detyrë t’i marrim parasysh interesat e të gjithëve. Në dhjetor të vitit kaluar ka pasë një rritje të importit të veturave. Importi i veturave 10 vjet ka një dallim të madh me ato të 15 vjet”.

Liburni Aliu është shprehur kundër kësaj zgjidhjeje duke konsideruar se kufiri i caktuar është i dëmshëm.

“Të gjejmë zgjidhje të mesme mes viteve 10-15 kemi kalu prapë në fillim. Prandaj jam kundër”.

Dardan Sejdiu po ashtu është shprehur kundër këtij amendamenti.

“Kam lexuar statistika. Vjetërsia e veturave ndikon në aksidente me fatalitet. Sa me të vjetra veturat, ka më shumë aksidente me fatalitet. Sa më shumë e rrisim vjetërsinë e veturave aq më shumë ka aksidente me fatalitet. Jam dakord me dy amendamente të tjera, por jam kundër kësaj kategorikisht për çështje sigurie”.

Të ngjashme