Pas debatit të 3 gushtit, Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ka dalë me një kumtesë lidhur me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe malit të Zi.
Në kumtesën e lëshuar për media komisionin thotë se kufiri Republikës së Kosovës me Malin e Zi ka mbetur i pandryshueshëm dhe pa gabime edhe sipas marrëveshjeve ndërkombëtare
Në kumtesë thuhet se Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror gjatë periudhës tre vjeçare 2012-2015, ka bërë punën Ligjor duke përfshirë detyrat dhe obligimet e mbështetura në dispozita ndërkombëtare dhe vendore, do të thotë në Kushtetutë dhe ligje. Ka bërë punën teknike duke analizuar dokumentacionin zyrtar relevant për zbatimin e metodave teknike e profesionale sipas ligjeve.
Në takimin e 03 gusht 2016, përveç tjerash argumentet e Komisionit dhe pyetja e kryeparlamentarit për përfaqësuesin e të drejtës ndërkombëtare nga grupi kundërshtues, përfundimisht u pranua se: ”Dokumenti i Marrëveshjes se 10 Qershorit 1999 dhe pakoja e Ahtisaarit janë marrëveshje Ushtarake dhe Politike Ndërkombëtare, obligative për Republikën e Kosovës”.
“Kjo nënkupton qartë se vija kufitare Kosovë-Mal i Zi është në rregull. Askush nuk e demantoj por nëpërmjet edhe të punimeve e pohuan se: Republika e Kosovës ka territor 10.906 km katror. Komuna e Pejës i kishte dhe i ka 603 kilometra katrore d.m.th. territor të pandryshuar. Edhe kjo qartësoj se vija kufitare ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull”, thuhet në kumtesë.
“Sqarim: Këto marrëveshje ndërkombëtare se bashku me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Krahinës se Kosovës 1974, si dhe më Aneksin 8, Sektori i Sigurisë neni 3.2 të Pakos se Ahtisaarit janë në përputhshmëri të plotë dhe të pandryshuar me vijën kufitare ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Komisioni këto marrëveshje i ka zbatuar me përpikëri”.
“Bashkëngjitur janë dy harta njëra nga marrëveshja e 10 Qershorit 1999 dhe e harta e tjetër e Komunës se Pejës e vitit 2015 por edhe deri me sot pa asnjë ndryshim as në territor e as në përkufizim. Komisioni e potencon prapë se harta e Komunës së Pejës me zonat kadastrale e vitit 2015 është e zbatuar nga të gjitha institucionet qe nga viti 1974 -2016”.
“Këtë përputhshmëri e kanë vërtetuar edhe ekspertizat profesionale ndërkombëtare si ajo e Komisionit Ad-Hoc ndërkombëtar, në mars 2016. Komisioni Shtetëror nuk ka ndryshuar vijën kufitare e as territorin e Kosovës as për një metër të vetme, por ka vërtetuar dhe shënjuar vijën administrative të vitit 1988 ndërmjet ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe ish-Republikës Socialiste të Malit të Zi”.
1. Harta e NATO-KFOR nga Marrëveshja e 10 Qershorit 1999, për kufirin e Komunës së Pejës dhe me Zonën e Sigurisë Tokësore 5 km në brendi të Malit të Zi nga kufiri i Kosovës.
2. Harta e Komunës së Pejës me të njëjtën vijë kufitare nga viti 1974, 1988, 1999 e deri më sot.