Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit është i përgatitur që ta përfundojë identifikimin dhe shënimin e vijës kufitare me Serbinë.
Kryetari Shpejtim Bulliqi, i cili aktualisht ka pezulluar punën e tij në këtë komision, pasi u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se është bërë punë e mirë në hulumtimin dhe grumbullimin e dokumentacioneve të nevojshme, raporton KTV.
Bulliqi ka shtuar se komisioni është i përgatitur të ballafaqohet me të gjitha pretendimet që mund t’i ketë shteti serb. Komisioni, deri tash, ka realizuar dhjetëra vizita në terren në veri të vendit, shpeshherë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Anëtari tjetër, profesori Florim Isufi, thotë se vështirësi në punën e komisionit shkaktoi ideja mbi korrigjimin e kufirit me shtetin serb. Isufi thotë se kompetencë e tyre është vetëm gjetja e vijës kufitare administrative me shtetin serb dhe jo ndryshimi i kufirit.
Vija kufitare mes Kosovës e Serbisë, sipas shoqërisë civile, mund të ndodhë vetëm pasi të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve. Një proces i tillë, sipas tyre, është shumë i vështirë dhe i fundit që do të duhej të ndodhte në raport me shtetin serb.
Reagime dhe kundërshtime të shumta kishte ngjallur vitin e kaluar deklarata e presidentit Hashim Thaçi, se nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, kjo do të duhej të ishte e pranueshme.
Ndërkohë, po bëhen gati dy vjet prej kur është miratuar marrëveshja shumë diskutabile për demarkacionin me Malin e Zi, e cila kishte ngjallur përplasje të mëdha mes pozitës e opozitës në vend.