Komisionieri i lartë për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi i shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti ka parë nga afër procesin e vaksinimit të stafit shëndetësorë me vaksinën anti-Covid, raporton Ekonomia Online.
Të dy, bashkë edhe me shefin e BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia në sallën “1 Tetori” në kryeqytet janë njoftuar për procesin e rivaksinimit të stafit shëndetësorë me vaksinën Pfizer të siguruar nga Bashkimi Evropian (BE).
Varhelyi me këtë rast tha se Kosova do të marrë 100 mijë vaksina nga Pfizeri, duke siguruar se në qershor do të vijë edhe kontingjenti tjetër e që do të mundësohet vaksinimi i të gjithë stafit shëndetësorë.
Madje ai ka siguruar institucionet e Kosovës se po bëhet përpjekje që të sigurohen vaksina për gjithë popullatën.
“Ka qenë një detyrë e vështirë për sigurimin e vaksinave, por ja ku i kemi. Kosova do të marrë 100 mijë vaksina nga Pfizeri”.
“Me këto doza dhe tjerat që di të vijnë në qershor ju do të keni mundësi t’i vaksinoni të gjithë personelin shëndetësor”.
“Do të vazhdojmë që të punojmë me kryeministrin për të siguruat vaksina dhe të vaksinojmë të gjithë”.
“Shpresojmë që kjo është përpjekja jonë e fundit e luftimit të pandemisë. Kjo tregon dhe nënkupton që ne brengosmi për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën”.
Kryeministri Albin Kurti, tha se po punohet çdo ditë në zvogëlimin e ndikimit të Covid-19.
Ai më tej ka shtuar se ndihma e BE-së me vaksina është dëshmi se rrugëtimin drejt unionit, përveç se i nevojshëm është i mbushur edhe me miq, raporton EO.
Madje ai edhe një herë është zotuar për vaksinimin e 60% të popullatës.
“Falënderoj çdo palë të përfshirë në realizimin e kësaj ngjarje. Po punojmë çdo ditë në zvogëlimin e ndikimit të pandemisë Covid-19. Kjo pako me vaksina na jep besimin se rrugëtimi shumë i nevojshëm dhe i gjatë drejtë BE-së është i mbushur me miq”.
“Falënderoj Austrinë që ishte lehtësuese në këtë proces. E rifitojmë procesin e vaksinimit me qëllim që mos të ndalim deri e realizojmë premtimin tonë për vaksinimin e 60 për qind të popullatës. Ne jemi në rrugë të drejtë për përmbushjen e këtij qëllimi. Le të triumfojmë në këtë betejë së bashku”.
Të martën, zyrtari evropian qëndroi edhe në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, ndërsa sot qëndroi edhe në Shqipëri.
Varhelyi ka udhëtuar për në Ballkanin Perëndimor ku edhe po takohet me liderët e vendeve për të diskutuar lidhur me vaksinat e para Covid-19 të ndara dhe të financuara nga Bashkimi Evropian.