Komisioni për zhvillim ekonomik viziton KOSTT-in

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 16:47 | Nga

Anëtarë të Komisionit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri të prirë nga kryetari Muhamet Mustafa, vizituan sot ndërmarrjen publike “Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut” (KOSTT).

Me këtë rast, ata u pritën nga Drita Kongjeli, kryesuese e Bordit, si dhe Mustafë Hasani, kryesues i Bordit ekzekutiv me bashkëpunëtorët e tij.

Kongjeli i falënderoi anëtarët e Komisionit për vizitën dhe i njoftoi ata se kjo ndërmarrje është ndër më të suksesshmet në vend.

Më pas, kryesuesi i Bordit ekzekutiv Hasani, prezantoi aktivitet dhe gjendjes në të cilën gjendet kjo ndërmarrje.

“Funksioni kryesor i ndërmarrjes është operimi, mirëmbajtja dhe zhvillimi i sistemit të transmisionit” tha Hasani. Ndër zhvillimet dhe aktivitetet me rëndësi ai përmendi ndërtimin e linjës interkonektive me Shqipërinë, ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve transmetuese dhe investimet në rrjetin e transmisionit, bashkëpunimin e ngushtë rajonal edhe me vendet e tjera eurokontinentale.

Ai i njoftoi anëtarët e Komisionit edhe me Planin e investimeve për pesë vitet e ardhshme. Lidhur me këtë, Hasani vuri në dukje se nga janari i këtij viti kanë filluar të inkasojmë të hyra edhe nga transiti i energjisë elektrike.

Si sfidë, ndërkaq, ai përmendi anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar të operatorëve të sistemit të transmisionit dhe funksionimin si transmetues i pavarur.

Nga ana, tjetër kryetari i Komisionit Muhamet Mustafa, falënderoi përfaqësuesit e KOSTT-it për pritjen, duke shtuar se kjo ndërmarrje është mjaft e rëndësishme, duke nënvizuar se nga efikasiteti i saj varet edhe stabiliteti energjetik në vend dhe kostoja e energjisë elektrike.

Ai po ashtu i inkurajoi ata për fuqizimin e qeverisjes korporatave të ndërmarrjes, realizimin e projekteve mbi bazën e studimeve, angazhimet për anëtarësim në mekanizmat rajonal e ndërkombëtar. Në këtë takim pyetje dhe komente bënë edhe deputetët e pranishëm Sala Berisha-Shala dhe Blerim Grainca.

Në fund të takimit deputetët i dhanë përkrahje përfaqësuesve të KOSTT-it në angazhimet e tyre për zhvillimin e ndërmarrjes, për pavarësinë e KOSTT-it dhe për anëtarësimin në mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme