Komitetet komunale të Prishtinës kanë dështuar të kryenin punën e tyre, që prej 5 vjetësh. Ndërsa edhe Komuna ka dështuar t’i themelonte, funksionalizonte dhe të përfitonte nga këto komitete, ndonëse këtë ia lejon Ligji i vetëqeverisjes lokale, i cili madje as nuk i kufizon komunat për numrin e këtyre organeve.
Sipas ligjit, këto komitete do ta ndihmonin dhe lehtësonin shumë punën e kuvendeve komunale në sektorë të caktuar, si edhe drejtoritë përkatëse komunale.
Neni 51 i Ligjit të vetëqeverisjes lokale, përcakton që kuvendet komunale duhet t’ themelojnë Komitetin e politikës dhe financave dhe Komitetin e komuniteteve, si komitete të përhershme.
Ndërkaq, KK-ja mund të themelojë edhe komitete të tjera, për të cilat konsideron se do jenë të nevojshme për kryerjen e përgjegjësive të tyre.
Nga Komuna e kryeqytetit deklarojnë se deri tashti kanë themeluar vetëm dy komitete të tjera, pos atyre, dy që janë të përhershme. Por, ndryshe nga ta deklarojnë përfaqësues të shoqërisë civile, që monitorojnë punën e KK së Prishtinës. Sipas tyre, Komuna, formalisht ka marrë vendimin të themelonte 6 komitete, por asnjëri nga ta nuk është duke kryer punën e vet, përjashtuar Komitetin e Politikës dhe Financave, nëpër të cilin duhet të kalojnë dhe të miratohen pikat e rendit të ditës për seancat e KK-së.