Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) është kritikuar nga Federata e Boksit të Turqisë pasi dy boksierë dhe një trajner që kanë marrë pjesë në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që u mbajt në Londër më herët këtë muaj, kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, shkruan BBC.
Turneu në Londër ishte anuluar pas tri ditë të garave, për shkak të pandemisë.
Presidenti i Federatës së Boksit të Turqisë, Eyup Gozgec i ka thënë “BBC Sport” se organizatorët nuk e kanë marrë seriozisht përhapjen e koronavirusit dhe nuk janë shqetësuar për këtë.
“Thjeshtë dua të di, kur e gjithë bota ishte në alarm, pse e organizuan këtë ngjarje? Nuk pamë standarde higjienike atje. Nuk kishte masa parandaluese”, ka thënë Gozgec.
Organizatorët kishin thënë se kanë aplikuar masa shtesë paraprake dhe asnjë skuadër nuk ka raportuar simptome në ngjarjen.
Në një letër dërguar anëtarëve të Konfederatës Evropiane të Boksut (EUBC), Gozgec shkroi: “Dy sportistë tanë (dhe një trajner) kanë testuar pozitiv me COVID-19 pasi janë kthyer në Turqi nga Londra. Të tre janë në tretman tash dhe për fat të mirë gjendje është e mirë. Ky është rezultati katastrofal i papërgjegjësisë së Task Forcës së Boksit të IOC-së”.
Gozgec ka thënë se planifikon t’i shkruajë të gjithë federatave të boksit të Evropës për të pyetur nëse ndonjë nga anëtarët e tyre që ishte në ngjarjen në Londër ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Organizatorët ishin të papërgjegjshëm dhe mendoj se nuk e kuptuan seriozitetin dhe nuk shqetësoheshin. Nuk e morën seriozisht përhapjen dhe nuk u shqetësuan fare. Nuk na testuan. Thjeshtë na thanë të shkojmë. Na dërguan në aeroport dhe kaq ishte. Ata e dinin se duhet të anulohej turneu, pra pse nisi? Shëndeti i sportistëve tanë dhe stafit është prioritet”, ka thënë Gozgec.
Në turneun kualifikues në Londër ishte edhe ekipi i Kosovës i përbërë nga katër boksierë, dy trajnerë dhe zëdhënësi i federatës.
Ekipi i Kosovës me t’u kthyer në Kosovë është futur në karantinë te konviktet e studentëve në Prishtinë.
Nuk është bërë e qartë nëse boksierët nga Turqia dhe trajneri janë infektuar në Londër apo në kthimin në Turqi.