Marrëveshja për energjinë, për të cilën u dakordua dje qeveria e Kosovës me atë të Serbisë ishte identike me marreveshjet e nënshkruara për këtë temë më herët në Bruksel.
Paradoksale kjo situatë. Qenka dashur të vijë Albin Kurti në pushtet që të zbatohen marrëveshjet e Hashim Thacit dhe Isa Mustafës. (Urojmë që të mos jetë ky edhe motivi që po e nxit kryeministrin Kurti të kundërshtojë edhe Ballkanin e Hapur. Sepse, po shpreson që duke e refuzuar këtë projekt ta diskreditojë kryeministrin Rama kombëtarisht, në mënyrë që të bëhet prijetar i zbatimit të tij vetë nesër).
Vetëm se Albini tash është në një pozitë më komode sa i përket presionit opozitar në raport me dy të parët. Sepse, opozita e sotme nuk mund t’i refuzojë ato marrëveshje për të cilët është dakorduar dje.
Nuk mund ta akuzojë kryeministrin e Kosovës për tradhëti kombëtare, sikur se që bënte ky i fundit për përfitime politike ndaj tyre sa ishin në pushtet. Krejt çka mund të bëjnë protagonistët e opozitës ndaj të parit të qeverisë është ndonjë kritikë morale për inkonsistencën e tij. Asgjë më shumë. Ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës kësi kthesa spektakulare.
Madje, ekzistojnë dyshime dhe spekulime se edhe mbështetja e mëhershme publike e disa shteteve evroiane ndaj pushtetit aktual, ishte e kalkuluar në funksion të këtij qëllimi. Strategjikisht me këtë suport shpresohej që të lehtësohej puna e kalimit dhe miratimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe atyre që do të mund të dakordoheshin në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi partitë që ishin më herët në pushtet u bllokuan në këtë agjendë, për shkak të diskreditimit të tyre publik.
Thuhet se një logjikë e ngjashme ishte aplikuar në rastin e Greqisë. Disa shtete të Bashkimit Evropian pretendohet se u angazhuan për ta përkrahur partinë Syriza, sepse në këtë mënyrë ato kalkulonin se do të zbatoheshin pa telashe shoqërore dhe politike marrëveshjet për borxhet që ky shtet i kishte nënshkruar me institucionet ndërkombëtare financiare. Ky paradoks doli i vërtetë. Syriza u përdor vetëm si mjet për të shlyer “mëkatet”e armiqve të saj brendshëm dhe të jashtëm.
Kosova tashmë po duket rast tjetër i këtij “eksperimenti” politiko- ideologjik.